ZRRE ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit.
Gjykata e Apelit ka vërtetuar sot vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji, duke refuzuar kështu ankesën e këtij institucioni si të pabazuar.
Këtë vendim tashmë e ka pranuar edhe ZRrE’ja. Në një përgjigje për Gazetën Express, nga ky institucion e kanë konfirmuar se e kanë pranuar vendimin e Apelit.
Kanë deklaruar se brenda afateve ligjore do të ndërmarrin veprime për zbatimin e këtij aktvendimi.
“Ju njoftojmë që sot, pasdite, ZRrE e ka pranuar Aktvendimin e Gjykatës së Apelit dhe brenda afateve të përcaktuara ligjore, do të ndërmarrë veprime për zbatimin e k ëtij aktvendimi”, thuhet në përgjigjen e ZRRE’së.
Në aktvendimin e Apelit thuhet se ankesa e ZRRE’së është refuzuar si e pabazuar.
I gjithë procesi në Gjykatë nisi pas padisë së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës, me arsyetimin se shtrenjtimi i rrymës dëmton qytetarët e vendit.
Kështu, më 9 prill, Gjykata mori vendim për pezullim, por pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës edhe në muajin prill janë faturuar me çmime të rritura.
ZRRE-ja, duke u thirrur në Ligjin për konfliktet administrative, pati deklaruar se “aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm”.
Nga propozimi fillestar deri te përfundimtari, si erdhi deri te shtrenjtimi i rrymës?
Më 17 janar, Zyra e Rregullatorit për Energji kishte dalë me propozim për rritje të faturave, pasi çmimet e energjisë ishin rritur edhe në tregjet evropiane, duke ndikuar kështu në çmimet e importeve të Kosovës.
Ishte thënë edhe se gjatë vitit 2021 është shënuar rritje e ndjeshme e kërkesës për energji elektrike – gjë që ka cenuar sigurinë e furnizimit dhe se kjo kishte çuar në reduktime.
Propozimi fillestar i ZRRE’së ishte që rryma të shtrenjtohet për të gjitha kategoritë e konsumatorëve, por që me sunbvencionimin nga ana e Qeverisë, rritja do të ndjehej vetëm te konsumatorët që harxhojnë mbi 600 kËh.
Sipas këtij propozimi, rritja për konsumatorët që shpenzojnë 800 kËh do të ishte për 12.31 centë, derisa për ata që shpenzojnë mbi 1000 kËh do të ishte 24.62.
Pas publikimit të Raportit Konsultativ, ku ishin këto propozime, ZRRE iu dha kohë palëve që dëshirojnë të shprehin mendimet e tyre, që ta bëjnë këtë deri më 28 janar. Ky afat u shty më vonë për 31 janar.
Për të ndaluar shtrenjtimin, opozita tentoi të miratojë një rezolutë, por që dështoi.
Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, njoftoi se në votim morën pjesë vetëm 30 deputetë, që nuk mjaftojnë për të marrë vendim. Në votim nuk kishin marrë pjesë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, mosvotimin e rezolutës nga deputetët e LVV-së e kishte konsideruar si koordinim të tyrin me kryeministrin Albin Kurti dhe Zyrën e Rregullatorit për Energji, që e ka propozuar shtrenjtimin e rrymës.
“Ne si grup parlamentar i Partisë Demokratike nuk do të vazhdojmë më tutje të qëndrojmë në seancë sepse nuk ka çështje më të rëndësishme për qytearët në këto momente sesa hudhja poshtë e këtyre bllok-tarifave”, kishte thënë ai.
As protestat s’arritën ta ndalojnë shtrenjtimin. Partia Socialdemokrate organizoi një protestë ku morën pjesë një numër i madh i qytetarëve, të cilët kundërshtonin këtë propozim.
Pas analizimit të komenteve, Zyra e Rregullatorit për Energji, më 8 shkurt, miratoi vendosjen e bllokut tarifor në 800 kilovat për konsumatorët e energjisë elektrike në Kosovë.
ZRrE ndryshoi vendimin pasi me rekomandimin paraprak, ata kërkonin që çmimi i energjisë elektrike të rritet për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovat.
Për subvencionimin e këtyre tarifave, Qeveria ndau rreth 90 milionë euro.
Por, që ky subvencionim është paraparë vetëm deri në fund të këtij viti, ani pse tarifat do të aplikohen deri më 31 mars të vitit 2023.
“Ky bllok të zhvendoset në 800 kilovat orë. Struktura e re tarifore deri në 800 i inkurajon konsumatorët që t’i shfrytëzojnë dy tarifat. U ofron konsumatorëve që të shfrytëzojnë energjinë në mënyrë efiçiente me 5,9 cent kËh. Për ata që konsumojnë mbi 800 është tarifa e lartë prej 12 cent dhe tarifa e ulët 6 cent. Njëkohësisht edhe në deri 800 tarifa e ulët prej 3 cent dhe tarifa e lartë prej 7 cent”, ishte thënë nga Departamenti i tarifave në ZRRE.
Të njëjtin propozim sikur ky që kishte miratuar ZRrE e kishte dhënë edhe Ministria e Ekonomisë dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në komentet dërguar ZRrE-së propozonte që zgjerimin e brezit tarifor në 800 kilovat nga 600 kilovat që ishte propozuar më parë nga ZRrE.
Propozim tjetër i ME-së ishte shtimi i blloqeve tarifore dhe përcaktimin e një tarife më të ulët sesa ajo e propozuar aktualisht për konsumin deri në 1,000kËh.
“Zgjerimi i brezit tarifor, përkatësisht ndryshimin e pragut të bllokut nga 600kËh në 800kËh, duke pasur në konsideratë efektivitetin e këtij mekanizimi në kushtet e mungesës së alternativave tjera të sigurimit të energjisë elektrike për nevoja të ngrohjes nga një pjesë e konsumatorëve; ose Shtimin e numrit të blloqeve tarifore, që do të mundësonte përshkallëzimin e tarifave nëpër blloqe dhe përcaktimin e një tarife më të ulët sesa ajo e propozuar aktualisht për konsumin deri në 1,000kËh”, njofton Rizvanolli.
Edhe Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), i pati propozuar Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) që blloku i parë tarifor deri në 800 kilovat, mos të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike.