A do të aprovohet kërkesa e KEDS’it për shtrenjtim të rrymës? ZRRE jep sqarim rreth situatës.
Kërkesa e KEDS’it për rritje të tarifave të energjisë elektrike për 7 për qind, s’pritet të marrë përgjigje deri në fillim të shkurtit të 2022’s. Deri atëherë, kosovarët do të vazhdojnë të paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë. Detaje rreth procedurës për shtrenjtimin e paralajmëruar të rrymës kanë dhënë nga ZRRE’ja për Express.
Paralajmërimi se fatura e energjisë elektrike në Kosovë mund të shtrenjtohet për 7 për qind në muajt e ardhshëm, ka bërë që të gjithë qytetarët t’i kthejnë sytë ka Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
Një kërkesë e tillë i është drejtuar këtij organi të pavarur nga Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).
“Kemi bërë kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike. Kërkesa është që të rriten tarifat e energjisë elektrike për 7 për qind”, ka deklaruar Viktor Buzhala, zëdhënësi i KEDS’it.
Por, për të marrë përgjigje për këtë kërkesë, KEDS’it do t’i duhet të presë.
Nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë i kanë thënë Gazetës Express se vendimi për shtrenjtimin ose jo të energjisë elektrike mund të merret tek ka fillimi i shkurtit të vitit të ardhshëm.
Zëdhënësja e ZRRE’së, Adelina Murtezaj, ka thënë se para dy ditësh kanë hapur procesin e Shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike. Sipas procedurave dhe afatave, thotë se të licencuarit kanë afat 20 ditë të dorëzojnë raportet për ndikimin financiar dhe më pas procesi i shqyrtimit do t’i nënshtrohet konsultimit publik.
“ZRRE ka hapur procesin e Shqyrtimit të jashtëzakonshëm para dy ditësh. Sipas procedurave dhe afateve të përcaktuara me kornizën ligjore rregullative, pasi të hapet Shqyrtimi i jashtëzakonshëm, të licencuarit brenda 20 ditëve të punës duhet të dorëzojnë raportet për ndikime financiar të këtyre ngjarjeve të jashtëzakonshme (ku bëhet përshkrimi e ngjarjes së jashtëzakonshme, vlerësimin e ndryshimeve të kostove për ofrimin e shërbimeve, vlerësimin e ndryshimeve në të hyra e parashikuara me tarifa të rregulluara, dëshmohet se është kaluar pragu i materialitetit i vendosur me rregulla për përcaktimin e të hyrave, etj), Pastaj, procesi i shqyrtimit i nënshtrohet procedurave të konsultimit publik dhe orari tentativ i përfundimit të këtij procesi është në fillim të muajit shkurt 2022”, ka thënë Murtezi.
Murtezaj thotë se pas dorëzimit të këtyre raporteve, ZRRE’ja do të bëjë analiza të detajuara të të gjitha të dhënave që do të dorëzohen nga parashtruesit e kërkesave dhe se pastaj do të ketë një vendim përfundimtar.
“Duke marrë parasysh që procesi është hapur vetëm para dy ditësh, dhe siç sqaruam edhe më lartë, nuk është e mundur që të parashikohet tani se a do të ndryshoj çmimi i energjisë elektrike. Të licencuarit: OST/OT, OSSH dhe Furnizuesi me Shërbim Universal, do të dorëzojnë raportet për ndikime financiar të këtyre ngjarjeve të jashtëzakonshme në të hyrat e tyre. ZRRE do të bëjë analiza të detajuara të të gjitha të dhënave që do të dorëzohen nga parashtruesit e kërkesës për rishqyrtimin e të Hyrave të Lejuara Maksimale (MAR) dhe pastaj merret vendimi përfundimtar”, thuhet në përgjigje.
Por, ende pa u shtrenjtuar energjie elektrike, disa qytetarë janë ankuar për rritje të çmimit të faturave muajve të fundit, pavarësisht së kanë shpenzuar ngjashëm energji elektrike.
Për këto ankesa, ZRRE’ja ka një përgjigje dhe një sugjerim.
“Duke marr parasysh se tarifat për energji elektrike janë të njëjta me ato të viteve të kaluara, për kilovatët e njëjtë të konsumuar duhet të jetë edhe pagesa e njëjtë. Për çdo dyshim për pasaktësi në faturat e tyre, konsumatorët duhet të kërkojnë sqarime nga KEDS dhe kanë të drejtë pastaj të parashtrojnë ankesa edhe tek ZRRE në rast se konsiderojnë se KEDS nuk e ka shqyrtuar drejt ankesën e tyre”, thuhet në përgjigjet e Murtezajt drejtuar Gazetës Express.
Rizvanolli paralajmëron gjendje të jashtëzakonshme me energji
Për gjendjen me energjinë elektrike në vend, është deklaruar dje edhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Ajo paralajmëroi gjendje të jashtëzakonshme me energji elektrike në vend.
Duke raportuar në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rizvanolli tha se situata është pasojë e çmimeve të larta të importit.
“Ne kemi pasur një situatë relativisht të mirë, duke qenë se deri nga fillimi i nëntorit jemi mbështetur kryesisht në kapacitetet e tona gjeneruese të KEK-ut dhe këto kanë mjaftuar për ta mbuluar kërkesën vendore. Siç është pritur me ftohjen e motit dhe me rritjen e kërkesës për energji elektrike është rritur edhe kërkesa për import. Çmimi i importit të energjisë elektrike është tejet i lartë, është gjendje e jashtëzakonshme”, ka thënë ajo.
Ajo tha se për import të energjisë elektrike këtë vit janë paraparë 12 milionë euro, por këto mjete, sipas saj, janë shpenzuar vetëm në dy muaj.
“ZRRE ka hapur kërkesën e shqyrtimit të jashtëzakonshme të tarifave dje në përputhje me obligimet ligjore duke qenë se shpenzimet e operatorëve janë shumë më të larta sesa ka qenë e parashikuar. Shpenzimet e importit kanë arritur në 12 milion për periudhën nëntor-dhjetor, teksa ka qenë e paraparë që për tërë vitin të shpenzohen jo më shumë se 12 milion për import”, ka thënë ajo, gjatë raportimit në Komisionin Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.
Ministria e Ekonomisë, ndërkohë, është duke hartuar Strategjinë e Energjisë për periudhën 2022-2031.
Kjo strategji, sipas ministrisë, do t’i analizojë të gjithë skenarët potencialë dhe të përballueshëm financiarisht, për të rritur stabilitetin e furnizimit me energji elektrike, si dhe do të ofrojë mundësinë e integrimit sa më të madh të burimeve të ripërtërishme të energjisë.
Qeveria del me manual për kursimin e energjisë elektrike
Për shkak të situatës së rënduar, Qeveria e Kosovës dhe autoritetet e tjera, si ZRRE dhe KEDS, kanë kërkuar nga qytetarët që të kursejnë rrymë, në mënyrë që të mos vijë deri te mungesat.
Qeveria ka dal edhe me një manual për këtë punë. Në manual thuhet se 40 përqind e energjisë elektrike që konsumojmë vjen nga ndriçimi.
E për të kursyej energjinë, Qeveria bën thirrje që t’i fikni dritat kur dilni nga dhoma, t’i zëvendësoni poçat elektrik me ata me eficiencë të lartë (LED), të shfrytëzoni dritën natyrore gjatë ditës dhe të vendosni senzorët e efiçiencës.
Bëhet thirrje edhe që pajisjet elektrike që konsumojnë më shumë energji, siç janë: rrobalarësja, enëlarsja dhe hekuri për hekurosje të përdoren mes orës 22:00 dhe 07:00, atëherë kur tarfifa e ulët është 57 përqind më e lirë se tarifa e lartë.
Në fund të manualit, kërkohet edhe edhe që të shfrytëzoni racionalisht ujin e ngrohtë, të mos i lini ndezur pajisjet elektrike kur nuk i përdorni dhe të përdorni enëlarëset dhe rrobalarëset të mbushura plotësisht.