Zyra e BE-së dënon plagosjen e serbit në Zveçan: Përgjegjësit të nxirren para drejtësisë

20:46 | 11 April 2023

Bashkimi Evropian ka dalur me një reagim pas incidentit të fundit në veri të Kosovës, ku i plagosur mbeti një pjesëtar i komunitetit serb.

Përmes një njoftimi, BE e ka dënuar këtë incident që ndodhi në komunën e Zveçanit mbrëmë, për të cilin Policia e Kosovës shkarkoi katër pjesëtar të saj, shkruan gazeta online Reporteri.net.

BE ka kërkuar hetim urgjent të rastit në mënyrë që përgjegjësi të dalin para drejtësisë.

“BE-ja në Kosovë dënon incidentin e sigurisë në të cilin një serb i Kosovës u qëllua dhe u plagos mbrëmë pranë pikës së kontrollit të Policisë së Kosovës në urën e Bistricës në komunën e Zveçanit”, thuhet në reagimin e tyre.

“Të gjitha institucionet përkatëse të sundimit të ligjit tani duhet të kryejnë një hetim të shpejtë dhe të plotë dhe të nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë”, thuhet tutje.

Përpos BE-së, reagim në lidhje me këtë ndodhi ka ardhur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në reagimin e tij, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, tha se Policia e Kosovës duhet bërë një hetim të plotë dhe kredibil lidhur me rastin, derisa u shpreh i shqetësuar edhe me pakujdesinë që tregoi policia.

Kjo pasi, në njoftimin e Policisë së Kosovës për incidentin, fillimisht u mohua se pjesëtarë të policisë ishin të përfshirë në këtë incident, por më pas u vërtetua e kundërta.

“SHBA-ja është e shqetësuar për incidentin ku një serb i Kosovës u qëllua në Zveçan mbrëmë. Zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet përkatëse duhet të bëjnë një hetim të plotë, e kredibil. Ne jemi shumë të shqetësuar nga mohimi fillestar që u bë pa kujdes. Të gjithë qytetarët duhet të kenë besim në transparencën e forcave të zbatimit të ligjit dhe sektorin e drejtësisë”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

“Mbështetja e SHBA-së për institucionet e Kosovës të sundimit të ligjit avancon një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multietnik. Ata që janë përgjegjës për veprime kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka thënë tutje ambasadori amerikan.

Ndërkohë, mediat serbe kanë publikuar edhe pamjet e veturës ku dyshohet se u plagos pjesëtari i komunitetit serb.

Nga fotografitë shihet se plumbi ka depërtuar nga ana e prapme e veturës, saktësisht nga dritarja. Dëmtime vërehen edhe në pasqyrat anësore të veturës.

Komento: