Shpenzojnë nga 1 mijë euro të taksapaguesve për të luajtur futboll.
Presidenti Hashim Thaçi do të ketë mundësi të shënojë më shpesh gola, të tilla siç i publikonte më parë në rrjetet sociale.
Kjo, pasi zyra e tij ka nënshkruar kontratë në vlerë 950 euro me fushën sportive “Learti” në Prishtinë, raporton KTV.
Ai ka zgjedhur që të bëjë rekreacion me vartësit e tij duke luajtur futboll me paratë e qytetarëve.
Zyra e Presidentit nuk ka kthyer përgjigje rreth arsyeve për rezervimin e fushës me para nga buxheti i shtetit, e jo me mjete vetanake të punëtorëve.
Në kontratën “huazim i fushës sportive për nevojat e zyrës së Presidentit”, thuhet se shërbimet e ofruara janë për 3 muaj, duke mos dhënë informacione të tjera.
Derisa fitues i tenderit është fusha sportive “Learti” në realitet, askund në kryeqytet nuk është gjetur një terren i tillë sportiv.
Në stadiumin “Princi” kanë thënë se ata janë të njëjtit dhe se aty do të luajnë punëtorët e presidencës.
Ata kanë refuzuar të japin detaje të tjera, duke thënë se kanë kontrata edhe me ministri të ndryshme.
Është Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ajo e cila po ashtu, kishte zgjedhur lokacionin e njëjtë për rekreacion të punëtorëve, por që në vitin 2018, pagoi 50 euro më shumë sesa zyra e presidentit.
Zyra e Presidentit ka nënshkruar kontratën më 26 mars, ndërsa më 4 prill, ajo është publikuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik.