
Ronaldo do të luajë kundër Newcastlet, do të aktivizohet si zëvendësues.
Cristiano Ronaldo do të debutojë me fanellën e Manchester Unitedit në ndeshjen kundër Newcastle Unitedit, që do të zhvillohet të shtunën prej orës 16:00 në stadiumin “Old Trafford” dhe i takon xhiros së katërt në Premier League.
Debutimin e Ronaldos te Unitedi, e ka konfirmuar edhe trajneri Ole Gunnar Solskjaer, i cili ka bërë të ditur se portugezi do të inkuadrohet ndaj Newcastles nga banka e rezervistëve.
“Përfundimisht, Ronaldo do të jetë në fushë për një kohë të caktuar”, ka thënë Solskjaer të premten.
Ronaldo 36-vjeçar u rikthye tek Unitedi pas 12 vjetësh në ditët e fundit të afatit kalimtar. Ai iu bashkua Unitedit nga Juventusi, ekip për të cilin luajti tri sezone.
Ylli portugez është stërvitur rregullisht me ekipin anglez prej ditës së martë dhe ditë më parë, ka insistuar se është i gatshëm për debutim.
Ronaldo te Manchester Unitedi, do ta bartë fanellën me numrin shtatë.
Pas tri xhirove të luajtura këtë edicion në Premier League, Unitedi ka tubuar shtatë pikë, dy më pak se Tottenhami që është lider.