Zyrtare nga BQK-ja: Kosovarët janë në kredi 4.1 miliardë euro

09:01 | 04 October 2022

Bankat komerciale në Kosovë i përcaktojnë individualisht normat e interesit, bazuar në politikat e tyre afariste.

Nga Shoqata e Bankave të Kosovës, theksojnë se ka një rritje të lehtë të normave të interesit për kredi të korporatave jo financiare, përderisa ka një ulje për ekonomi familjare.

Bazuar në ligjet dhe rregulloret në fuqi, bankat komerciale në Kosovë i përcaktojnë individualisht normat e interesit, bazuar në politikat e tyre afariste. Përfaqësues të bankave komerciale në Kosovë nuk pranojnë të flasin para mikrofonit për rritjen e interesit të kredive.

Nga Shoqata e Bankave te Kosovës, në një përgjigje për Radio Kosovën konfirmojnë se është një rritje e lehtë normave të interesit për kredi të korporatave jo financiare, përderisa ka një rënie të lehtë të normave të interesit për kredi të ekonomive familjare.

Norma efektive për kredi të lëshuara për korporatat jo financiare në fund të muajit gusht 2022 ishte 6.05 për qind për dallim prej fundit të vitit 2021 kur ishte 5.72 për qind, ndërsa për ekonomitë familjare në muajin gusht 2022 ishin 5.89 për qind për dallim që ishte 5. 95 qind, thuhet në përgjigjen elektronike nga Shoqata e Bankave të Kosovës.

Përfaqësuesi nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, Agim Shahini, thotë për Radio Kosovën se rritja e interesit bankar dobëson ekonominë dhe investimet.

“Të gjitha bizneset në Kosovë, përkundër vështirësive për të marr kredi dhe përkundër që interesi ka qenë i lartë edhe në të kaluarën, tashmë është bërë më i lartë, dhe kjo do të mund ta dobësojë konkurrencën ekonomike në vend, qoftë ajo, prodhuese, shërbyese apo tregtare”, thotë Shahini.

Për ekspertin e ekonomisë, Safet Gërxhaliu, rritja ka ardhur si pasojë e rritjes së normave të interesit nga Banka Evropiane Qendrore. Ai thotë se 40 për qind e biznesmenëve në Kosovë kanë nevojë për mjete financiare.

“Nëse vazhdohet kjo ngufatje dhe ky trend, kam frikë se shqetësimi më i madh do të jetë rritja e borxheve të këqija, sepse me këtë formë të zhvillimit dhe me këtë mungesë të dialogut publiko-privat dhe me këtë mungesë të mbështetjes së sektorit privat, do të jetë shumë e vështirë që sektori privat të përballojë kthimin e borxheve kredive, e ku shumica e bizneseve është në kredi bankare”, shprehet Gërxhaliu.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se norma mesatare e interesit në kredi të reja për periudhën e gushtit ishte, 5.99 për qind. Në Kosovë veprojnë 11 banka komerciale dhe vlera e kredive për muajin korrik, ka arritur në 4.1 miliardë euro, thotë për Radio Kosovën, Kushtrim Ahmeti, zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës.

Komento: