Cristiano Ronaldo më nuk është pjesë e Manchester Unitedit.
Të martën mbrëma klubi anglez ka njoftuar se Ronaldo largohet me marrëveshje të dyanshme.
Marrëveshja ka efekt të menjëhershëm, kështu që Ronaldo në Botëror paraqitet pa qenë pjesë e ndonjë klubi.
Lëvizja erdhi pas intervistës së bujshme të superyllit portugez, ku ai kritikoi hapur klubin dhe drejtuesit e tij. Është pritur që Ronaldo të largohet nga Manchester Unitedi, por jo para Botërorit.
Manchester Unitedi ka falënderuar Ronaldon për kontributin shumë të madh. Në dy periudha në “Old Trafford”, Ronaldo ka shënuar 145 gola në 346 paraqitje.
“Të gjithë tek Unitedi mbesin të fokusuar për të vazhduar progresin e klubit nën drejtimin e trajnerit Erik ten Hag, duke punuar së bashku për të siguruar suksesin në fushë”, shkruan në fund të komunikatës së shkurtër të Manchester Unitedit.