Zyrtarët e lartë gjerman në takim me Vuçiqin, shprehën kundër ndryshimit të kufijve

16:19 | 02 April 2019

Zyrtarët e lartë gjerman sot janë duke qëndruar në Beograd.

Dy deputetët e Bundestagut, Peter Bayer dhe Christian Schmitt, e kanë përsëritur edhe në Beograd para syve të Vuçiqit qëndrimin e kancelares Angela Merkel, se Gjermania është kundër idesë për korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Gjermania është e angazhuar për të gjetur mënyra që të intensifikohet dialogu, në mënyrë që të ruhet paqja dhe stabiliteti e prosperiteti ekonomik dhe gjithashtu do të angazhohet për të mos pasur ndryshim të kufijve”, kanë thënë deputetët gjermanë në tryezën e takimit me kreun e shtetit serb.

Në anën tjetër Vuçiq është ankuar për taksën që Qeveria e Kosovës ka vendosur ndaj produkteve serbe, duke kërkuar nga Gjermania dhe Bashkimi Evropian që të bëjnë më shumë presion për heqjen e asaj mase e cila, sipas tij, e ka bllokuar dialogun e Brukselit.

Siç njofton zyra për media e presidencës gjithashtu presidenti serb ka bërë thirrje për përmbushjen e marrëveshjes së Brukselit, duke kërkuar kështu edhe formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

“Ata kanë vendosur masa anticivilizuese për produktet serbe dhe të Bosnjës, dhe kanë miratuar një platformë që është plotësisht në kundërshtim me vazhdimin e dialogut”, citohet të ketë thënë Vuçiq, raporton Gazeta Express.

Vuçiq e ka pranuar se për çështjen e Kosovës kanë qëndrime të kundërta me shtetin gjerman, por thotë se gjermanët e dinë se çfarë kërkon pala serbe, dhe gjithashtu edhe vetë Serbia e di se çfarë po kërkon Gjermania.

“Unë jam i hapur të dëgjoj njerëzit inteligjentë dhe idetë e atyre që dëshirojnë të vendosin paqe në rajonin e Ballkanit”, është shprehur Vuçiq.

Në fund kreu i shtetit serb ka thënë se Gjermania është një nga partnerët më të fuqishëm ekonomikë të Serbisë.

Qëndrimin kundër korrigjimit të kufijve, dy deputetët gjermanë e kanë përsëritur edhe gjatë vizitës së tyre në Kosovë.

Komento: