Zyrtarët e PDK-së punësojnë familjarët në Biblotekën Kombëtare – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Zyrtarët e PDK-së punësojnë familjarët në Biblotekën Kombëtare

21:22 | 24 Janar 2019

Po vazhdojnë punësimet partiake në Biblotekën Kombëtare.

Në konkursin e Bibliotekës Kombëtare u pranuan pesë persona, në mesin e tyre të afërmit e politikanëve të PDK-së.

Stafit aktual të Bibliotekës Kombëtare shpejtë do t’i shtohen edhe disa punëtorë të rinj.

Kjo pasi në nëntor të vitit të kaluar është shpallur konkurs për zyrtar të Bibliotekës.

Me anë të këtij konkursi publik, parashihej të punësoheshin pesë persona.

Aty ishin bërë të qarta detyrat dhe kriteret që kërkoheshin për këtë vend pune.

E për këto pozita të lira në këtë institucion, aplikuan 172 persona.

Por janë vetëm pesë persona që kanë arritur të punësohen, e disa prej tyre janë të afërm të politikanëve të Kosovës.

Personalit të bibliotekës do t’i shtohet e bija e ish-ministrit të Bujqësisë, Idriz Vehapit, Blerina Vehapi.

Por, ish-deputeti e ministri i Partisë Demokratike të Kosovës, ka mohuar të ketë ndikuar në konkurs.

“Jo, nuk kam ndikuar. Kurrfarë ndikimi politik nuk kam bo kërkun. Vajza ime ka dy vite që konkuron në të gjitha konkurset që janë hap nëpër institucione”.

E kolege me vajzën e Idriz Vehapit do të jetë bashkëshortja e një politikani tjetër të PDK-së.

Taibe Bashota gruaja e Sokol Bashotës mori pikë të njëjta me vajzën e Idriz Vehapit.

Me gjithë insistimin disa ditor të televizionit T7, ka qenë e pamundur të kontaktohet me ish-kryetarin e Klinës.

Por, është Biblioteka Kombëtare që ka arsyetuar këto punësime të reja.

Izet Avdyli, menaxher i personelit, thotë se gjithçka ka shkuar sipas rregullave të konkursit dhe se nuk ka pasur ndikim politik gjatë fazës së rekrutimit.

“Gjithçka ka shkuar sipas konkursit dhe dispozitave ligjore që parashihen për procedurat e rekrutimit të shërbyesve civil”.

Avdyli thotë se nuk ka pasur njohuri se kush janë personat e pranuar si zyrtar në bibliotekë.

“Askun nuk shkruan se bijtë dhe bijat e dikujt nuk kanë të drejtë të konkurojnë. Nuk kam pasur njohuri se të kujt janë e kush janë. Fundja, detyrë e menaxherit të përsonelet dhe Komisionit nuk është të hulumtoj në biografitë e personave, por të respektohen kriteret e konkursit.”

Deri më tani nuk ka pasur asnjë ankesë me shkrim për çështjen e konkursit për zyrtar të bibliotekës, ani pse një gjë e tillë parashihet me ligj.

Komento: