Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka liruar nga detyra të gjithë të emëruarit politikë nga kjo parti që janë të akuzuar për korrupsion dhe nepotizëm.
Besim Beqaj, Agim Çeku, Zenun Pajaziti, Qemajl Mustafa, Sami Lushtaku, Njazi Kryeziu para dy dite u zgjodhën anëtarë të Këshillit Drejtues të PDK-së, ndonëse kishin aktakuza të ngritura nga Prokuroria, ndërsa brenda 48 orëve u shkarkuan nga shefi i partisë, Kadri Veseli, pikërisht për shkak të problemeve të tilla me drejtësinë.
Dy ditë pas përfundimit të Konventës Festive të PDK-së, ku paralajmëroi luftim të korrupsionit, kryetari i PDK-së Kadri Veseli dje mori vendim t’i largojë nga pozitat institucionale dhe partiake të gjithë zyrtarët e partisë së tij, të cilët kanë aktakuza të ngritura nga institucionet e drejtësisë, shkruan Zëri.
Por vetëm pak ditë para se të merrej ky vendim PDK-ja e Kadri Veselit kishte zgjedhur anëtarë të Këshillit Drejtues edhe të atillë me aktakuza. Megjithëkëtë, si rrjedhojë e vendimit zyrtarët që kanë pozita në strukturat e partisë, ministrat e deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, që janë me aktakuza do të detyrohen t’i braktisin postet e tyre deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata.
Ministri i Inovacionit dhe i Ndërmarrësisë Besim Beqaj, zëvendësministri i Mbrojtjes Agim Çeku, anëtarët e Këshillit Drejtues Qemajl Mustafa, Nijazi Kryeziu, Adem Grabovci e Zenun Pajaziti janë disa prej personave, të cilët janë të thirrur ta zbatojnë këtë vendim.