Zyrtarët ndërkombëtarë po e humbin durimin në institucionet e Kosovës

15:36 | 20 August 2019

Ndërkombëtarët po humbin durimin në institucionet e Kosovës.

Ka rreth një vit që përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovës i kanë shpeshtuar kritikat në drejtim të institucioneve të Kosovës, lidhur me fenomenet negative, si nepotizmi, korrupsioni apo për dukurinë, siç po quhet, të “kapjes së shtetit”.

Ata theksojnë se shtetet që Kosova i konsideron si mike, po e humbin durimin e tyre, duke potencuar se qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë një trajtim të tillë nga të zgjedhurit e tyre, qoftë në nivelin qendror apo atë lokal.

Ambasadorë të akredituar në Kosovës kanë theksuar në disa raste se qytetarët e Kosovës meritojnë transparencë dhe llogaridhënie nga udhëheqësit dhe institucionet e vendit. Nisur nga këto kritika, tashmë të përditshme të përfaqësuesve ndërkombëtarë, njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë thonë se institucionet duhet të kritikohen, pasi që korrupsioni vazhdon të jetë i pranishëm në shumë mekanizma institucionalë, madje edhe në nivele të larta të qeverisjes.

Analisti Agron Bajrami, kryeredaktor i gazetës “Koha Ditore”, tha për Radion Evropa e Lirë, se shumë procese në Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, nuk kanë shkuar siç duhet, dhe se sipas tij, dukuritë negative si korrupsioni dhe nepotizmi janë shumë evidente në vend.

“Më shumë se dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, në kohën kur Kosova do të duhej të dëshmonte se mund të jetë një shtet i qëndrueshëm, demokratik, ku sundon ligji, mendoj se është mbushur kupa edhe e perëndimorëve të cilët nuk e kuptojnë se si është e mundur të mos ketë asnjë lëvizje pozitive në gjithë këto vite në luftimin e këtyre fenomeneve, të cilat në esencën e vetë e dëmtojnë dhe e zhbëjnë shtetin e pavarur të krijuar në shkurt të vitit 2008”, tha Bajrami.

Punësimet partiake dhe jo mbi bazën e meritave, sipas ambasadave të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe ishin arsyeja kryesore pse përfaqësuesit e këtyre vendeve janë tërhequr nga bordet.

Së fundit, zyrtari nga Ambasada e Shtetet e Bashkuara është larguar nga bordi i Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës në Kosovë, duke konsideruar se në krye të këtij institucioni është një person i pakualifikuar.

“I pakualifikuari Naseri Shala vazhdon të qëndrojë në krye të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, duke minuar besimin e qytetarëve në përzgjedhjen me meritë në procesin e punësimit”, pati thënë ndër të tjera ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.

Për emërimin e Naser Shalës, pati reaguar edhe Britania e Madhe, dhe ish-ambasadori i saj në Prishtinë, Ruairi O’Connell. Po ashtu, edhe ambasadori britanik ishte tërhequr nga bordi i kësaj agjencie.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, tha për Radion Evrope e Lirë, se kritikat e përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovës, janë reale, pasi që Kosova kaloi dhjetë vjet që nga pavarësia dhe nuk ka ndryshuar, por se është thelluar në dukuritë negative, si korrupsion e nepotizmi.

“Faktori ndërkombëtar duke e parë këtë degradim të qeverisjes në Kosovë, në njëfarë mënyrë është vënë në pozitë që të mendojë (vlerësojë) nëse duhet apo jo të vazhdohet me përkrahjen dhe me investimet në Kosovë, pasi që ata nuk po i shohin gjërat duke përparuar apo ndryshuar. Me vetë faktin që tani në njëfarë mënyre kemi ardhur në një stad kur paraprakisht për pozita shumë të rëndësishme dihet se kush do të pranohet dhe për kënd shpallet konkursi, atëherë sigurisht që kjo është brengë si për faktorin ndërkombëtar, ashtu edhe për qytetarët e Kosovës, të cilët nuk mund të pranohen në punë pa pasur lidhje me ndonjë parti politike”, tha Miftaraj.

Ai konsideron se partneriteti i ndërkombëtarëve me Kosovën deri më tash nuk ka qenë në nivel të dobët, por zhvillimet e fundit mund të ndikojnë në të ardhmen.

“Me ndodhitë e fundit sigurisht që edhe qasja e faktorit ndërkombëtar do të ndryshojë, e kjo zakonisht bëhet përmes raporteve vjetore që bëhen për Kosovën. Ne mendojmë si Institut i Kosovës për Drejtësi se në këtë vit, Raporti i Progresit për herë të parë do ta përmendë Kosovën se është shtet i kapur, që do të jetë një barrë shumë e madhe për Kosovën dhe integrimin evropian”, tha Miftaraj.

Ndërkaq, Agron Bajrami, konsideron se kritikat e ndërkombëtarëve në Kosovë, janë një thirrje për qytetarët që të jenë më pro-aktiv në proceset demokratike për të ndryshuar gjendjen në vend.

“Besoj se këto deklarata janë në fakt mesazhe për qytetarët, për votuesit, për shoqërinë, për institucionet e shoqërisë civile që të shtojnë përpjekjet për të luftuar këto fenomene sepse është e qartë që institucionet e vendit, duke përfshirë edhe ato të sundimit të ligjit, nuk po e bëjnë këtë punë”, tha Bajrami.

Zyrtarët ndërkombëtarë në Kosovë, herë pas herë, për procese të ndryshme kanë kritikuar institucionet. Ambasadori amerikan Kosnett në deklarimet e tij në rrjetet sociale pati hedhur dyshime edhe mbi përzgjedhjen e kandidatëve në postet diplomatike, të karrierës dhe jo të karrierës, duke pyetur: “Ministria e Punëve të Jashtme, a është duke i ndjekur procedurat për përzgjedhjen (e kandidatëve) bazuar në konkurrencë dhe merita?”,

Komento: