Davide Hale thotë se rezultati i dialogut varet nga palët.
Përkrahja amerikane për Kosovën është e palëkundshme. SHBA-ja kujdeset thellë për mirëqenien, prosperitetin dhe sigurinë e Kosovës. Dhe këto janë bazat mbi të cilat zhvillohen diskutimet mes SHBA-së dhe Kosovës.
Kështu ka thënë nënsekretari amerikan për çështje politike, David Hale, të shtunën në Prishtinë, pas takimit me krerët e institucioneve të Kosovës.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nga tri media kosovare, përfshirë “Kohën Ditore”, nënsekretari Hale, ka përsëritur qëndrimin amerikan rreth dialogut, duke theksuar se Washingtoni konsideron se tani është një moment i përshtatshëm për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, duke theksuar se në bosht të asaj marrëveshjeje duhet të jetë njohja e ndërsjellë.
Sidoqoftë, nënsekretari Hale e ka përsëritur se SHBA-ja nuk ka një pozicion të vetin se cili duhet të jetë rezultati i dialogut, dhe se përmbajtja e marrëveshjes do të varet nga të dyja palët.
Por, ai ka theksuar se ka një pajtim të gjerë mes aleatëve perëndimorë se çdo marrëveshje duhet t’i kontribuojë stabilitetit rajonal dhe jo e kundërta.
Nënsekretari Hale, i cili të shtunën në mëngjes i ka takuar së bashku presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, para vizitës në Prishtinë, ka qëndruar në Beograd, ku ka dërguar të njëjtin mesazh për tejkalimin e pengesave që t’i hapet rrugë dialogut.
Duke iu përgjigjur pyetjes së “Kohës Ditore” për të komentuar rreth Platformës për dialog, të cilën e ka miratuar Kuvendi i Kosovës të premten, nënsekretari Hale tha se e sheh këtë si pjesë të debatit demokratik në Kosovë, por shtoi se SHBA-ja nuk ka një pozicion rreth platformës.
Në çdo rast, siç tha nënsekretari Hale, SHBA-ja nuk ndryshon pozicionin kur bëhet fjalë për shtetësinë e Kosovë – është në përkrahje të plotë të pavarësisë dhe sovranitetit.
Siç tha nënsekretari Hale, qëllimi i vizitës së tij në Kosovë ishte “për të diskutuar se si Amerika dhe Kosova mund të bashkëpunojnë për paqen, drejtësinë dhe prosperitetin e Kosovës dhe rajonit”.
“Marrëdhëniet tona janë të çmueshme. Ka miqësi të thellë midis popullit të Kosovës dhe të Amerikës. Ne kujdesemi shumë për mirëqenien, prosperitetin dhe sigurinë e Kosovës dhe këto ishin arsyet e bisedave tona”, tha Hale në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, “Gazetës Express” dhe portalit “Kossev” nga Mitrovica Veriore.
“Ne besojmë në interesin e Amerikës dhe të Kosovës që të shohim vazhdimin e progresit të Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me lidhje të afërta politike dhe ekonomike me ne. Dhe kemi histori të gjatë së bashku, angazhimi ynë në të ardhmen e Kosovës është i palëkundur përmes bashkëpunimit për siguri, në ndihmën e qeverisë dhe asaj diplomatike për të përkrahur Kosovën sovrane. Mendojmë se është një hap kritik para Kosovës në rrugëtimin e saj drejt një të ardhmeje prosperuese. Marrëveshja gjithëpërfshirëse mes Serbisë dhe Kosovës është mënyra për të arritur këtë të ardhme, me angazhimin që të ketë njohje reciproke”, tha Hale, duke shtuar se për këtë arsye, ka qëndruar edhe në Beograd të premten, dhe për të njëjtën arsye, ishte edhe në Prishtinë, të shtunën: “Që të shohim nëse mund të ndihmojmë dhe të shohim se si Amerika mund të luajë rol konstruktiv”, tha ai.
Sipas nënsekretarit Hale, varet nga Kosova dhe Serbia që të marrin vendimet e nevojshme gjatë këtij procesi dhe të identifikojnë temat që do t’i diskutojnë në tavolinën e negocimit. “Besojmë në kreativitetin dhe fleksibilitetin e palëve dhe njohja që duhet të bëhet, të jetë e qëndrueshme dhe marrëveshja të kontribuojë në stabilitetin e rajonit”, tha Hale.
Por, Hale tha se nuk ishte vetëm dialogu temë e bisedimeve me krerët e Kosovës, të shtunën. “Me lidershipin e Kosovës, bisedova për angazhimin për shtimin e masave në forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe avancimin e qeverisjes së mirë në politikë dhe të vendosim qeverisjen e mirë mbi kornizat politike. Ndikimet politike në emërime, në prokurori dhe në praktikat e punësimit të njerëzve të dënuar për krime mbesin shqetësim dhe populli i Kosovës meriton më shumë”, tha ai.
I pyetur nëse ka shqetësime nga mundësia që marrëveshja Kosovë-Serbi të shkaktojë incidente, apo edhe – siç e tha gazetarja nga Mitrovica – të ketë incidente të planifikuara që shtojnë presionin për arritjen e marrëveshjes përmes shkëmbimit të territoreve, Hale tha se nuk ka dijeni për një skenar të tillë, ku lidershipi do të përdorte dhunën për të arritur qëllimet politike.
“Nuk kam dëgjuar asgjë në Serbi dhe në Kosovë në lidhje me këto çështje. Dëgjova për angazhimin e fuqishëm të të dyja palëve që të bëjnë të pamundurën për të vazhduar dialogun. Mendoj se ka vizion të përbashkët për të arritur stabilitetin e rajonit. Ky është objektivi dhe kjo është ajo liderët më thanë se duan. Kjo është arsye që ata të gjejnë mënyra për vazhdimin e dialogut”, tha Hale.
Por, ai shtoi se rezultati i dialogut nuk varet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Nuk dua të komentoj për rezultatin, nuk kemi pozicion për rezultatin, por inkurajojmë këtë përpjekje për të arritur dialogun dhe procesin që do të shpie te njohja. Ne përkrahim çdo gjë që arrihet me marrëveshje ndërmjet dy palëve, që është në të mirë të të dyja vendeve në fund të këtij procesi”, tha ai.
Duke komentuar mungesën e një qëndrimi të përbashkët të shteteve të Quintit kur bëhet fjalë për marrëveshjen që pritet të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë, Hale tha se komunikimi mes aleatëve perëndimorë ekziston dhe se qëndrimi i përgjithshëm ndaj situatës është i përbashkët.
“Mendoj se kemi një qëndrim të përbashkët sa i përket rezultatit këtu. Të gjitha shtetet duan të shohin se çfarë është e mundur në këtë dialog nëse Kosova dhe Serbia do të arrijnë marrëveshje që do të kontribuojë në stabilitetin e rajonit. Për këtë mendoj se është një qëndrim i përbashkët, mund të ketë dallime në terma se çfarë duhet përmendur e çfarë jo. Ne shpresojmë që palët të gjejnë mënyra për të hequr pengesat për vazhdimin e dialogut dhe të shohin se çfarë është e mundur në termin e rezultatit për të cilin folëm më herët”, tha ai.
Sa u përket dallimeve të dukshme që ekzistojnë brenda Kosovës në lidhje me dialogun dhe rezultatin që duhet të sjellë ai, por edhe në raport me zhvillime të tjera, siç është për shembull taksa e vendosur ndaj mallrave të Serbisë, Hale tha se situata aktuale dhe mungesa e konsensusit është pasojë e procesit demokratik në vend.
“Ne e pranojmë se Kosova është demokratike dhe kjo është ajo që na ka bërë bashkë, në termin e vlerave që ndajmë dhe praktikat demokratike që respektojmë. Në demokraci ka nevojë për debate dhe pikëpamjet divergjente sidomos në këtë çështje kritike që po ndodhin para dialogut për normalizim”, tha Hale.
Ai përkujtoi se Presidenti Trump ka shkruar letër në të cilën e ka theksuar se tani është një moment unik. “Ishte e rëndësishme që të kërkonte nga liderët e Kosovës që të flisnin me një zë gjatë bisedave paqësore, prandaj është e shëndetshme të ketë debate që të shihni se çfarë është e mundshme, por kur të hyni në bisedime, keni pozitë më të fuqishme nëse flisni me një zë”, shtoi ai.
I pyetur nga “Koha Ditore” se cili është pozicioni i SHBA-së ndaj Platformës së Kosovës për dialog, të miratuar të premten në Kuvendin e Kosovës, Hale tha se edhe ajo është “reflektim i këtij debati dhe produkt i saj”.
“Amerika nuk ka qëndrim rreth rezultatit të mundshëm të dialogut”, ritheksoi ai.
Hale po ashtu, nuk komentoi as pyetjen rreth deklaratave të kohës së fundit nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për mundësinë e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë, apo atyre të presidentit Hashim Thaçi rreth bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.
“Këto tema nuk ishin në bisedimet e mia të sotme. Jemi përqendruar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe diskutuam për dallimet mes tyre dhe se si mund të adresohen në pajtim me dy palët”, tha ai.
Hale, tutje, tha se bazuar në ato që ka dëgjuar në takimet që ka pasur në Prishtinë dhe një ditë më parë në Beograd, “askush nuk ka folur në terma kërcënues për palën tjetër”.
I pyetur nga “Koha Ditore” se cili ka qenë reagimi i Beogradit ndaj qëndrimit të SHBA-së se njohja e ndërsjellë duhet të jetë thelbi i çdo marrëveshjeje Kosovë-Serbi, Hale tha se nuk dëshiron t’i komentojë publikisht ato që i ka diskutuar me lidershipin serb në Beograd. Po ashtu, i pyetur nëse pjesë e marrëveshjes finale duhet të jenë edhe marrëveshjet e arritura deri më tash në dialog, e që nuk janë zbatuar, siç është rasti me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe apo marrrëveshja për energjinë, Hale theksoi se nuk është SHBA ajo që merr pjesë në negociatat në Bruksel.
“Ne jemi miq të Kosovës dhe duhet të sigurohemi se Kosova është vend i suksesshëm dhe se pavarësia e integriteti i saj janë të mbrojtura siç janë sot. Ne duam të shohim rritjen e Kosovës dhe rruga varet nga normalizimi, e kjo i sjell Kosovës të ardhme më të mirë, në të cilën bota do të kërkojë mënyra për të përforcuar suksesin e Kosovës që ajo të bëhet atraktive për investimet e reja. Ky është roli ynë, roli juaj është që lidershipit t’i bëjë llogaritë se si të strukturojnë marrëveshjen së bashku, por besojmë se marrëveshja është e mundshme dhe shfaq interesin e Serbisë dhe Kosovës dhe një marrëveshje e tillë mund të arrihet”, tha Hale.
Nënsekretari amerikan për çështje politike, refuzoi të komentojë nëse demarkimi i kufirit apo shkëmbimi i territoreve mund të jenë pjesë e marrëveshjes.
“E kemi bërë të qartë se varet nga dy palët që të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve dhe të arrijnë njohjen reciproke. Çfarëdo rezultati, SHBA-ja do ta përkrahë”, tha ai, duke ritheksuar se objektivat e SHBA-së “janë të dizajnuara për paqe dhe stabilitet, që të shmanget kthimi i tragjedive të kaluara të cilat të gjitha i kemi përjetuar”.
“Ato kujtime janë me ju dhe me ne. Ne duam që lidershipi që të bëjnë çfarëdo që është e mundshme që t’i shmangen asaj atmosfere. Ne besojmë se lidershipi do të tentojë të gjejë mënyra për të forcuar paqen në rajon”, tha ai.
I pyetur në lidhje me taksën ndaj mallrave të Serbisë, e cila ka qenë temë e nxehtë debati kohët e fundit edhe në kontekstin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-së, Hale tha se janë shumë pengesa për vazhdimin e dialogut dhe këshilla amerikane është që “palët të gjejnë një mënyrë për vazhdimin e dialogut. Të gjithë po tregojnë se janë të fortë, por tani duhet të shohim mençurinë e tyre për të arritur objektivat e tyre”.
Ndërsa, në lidhje me afatin e përmendur për të arritur marrëveshjen, që një kohë u tha se mund të jetë fundi i vitit 2019, nënsekretari Hale tha se nuk ka asnjë afat të vendosur.
“Nuk ka ndonjë afat, por besojmë se është rast unik në të cilin janë bërë bashkë një mori elementesh, me qëllim që të arrihet një marrëveshje përfundimtare”, tha ai.
Nënsekretari amerikan mohoi edhe se ka një ndryshim të qasjes së SHBA-së në raport me ushtrinë e Kosovës, sidomos në kontekstin e diskutimeve për taksën.
“Asgjë nuk ka ndryshuar në pozitën apo angazhimet tona në Kosovë”, tha Hale.