Duket se lufta mes Ukrainës dhe Rusisë nuk e ka ndërmend të ndalet.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, kanë zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, lidhur me luftën në Ukrainë.
Sipas Presidencës franceze, Macron dhe Scholz kanë kërkuar që t’i japë fund luftës. Por, një zyrtar i Presidencës franceze, i citur nga Reuters, ka thënë se Putin nuk dukej i gatshëm që t’i jepte fund luftës.
Macron po ashtu ka kërkuar që Rusia të heqë dorë nga rrethimi i qytetit ukrainas të Mariupolit, ku banorët tash e sa ditë janë pa ujë dhe pa energji elektrike.
Më herët, nga zyra e Scholz thanë se kjo bisedë “është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë”.
Nga Presidenca franceze kanë thënë se biseda ka qenë e vështirë, ku liderët e Francës dhe Gjermanisë kanë bërë thirrje për armëpushim.
Po ashtu Franca tha se në ditët në vijim mund të priten sanksione të reja nga Bashkimi Evropian, të cilat do të kenë për bazë edhe zhvillimet e fundit në Mariupol, qytetit të rrethuar ukrainas.
BE-ja dhe SHBA-ja veçse kanë vendosur disa runde sanksionesh të ashpra ndaj Rusisë, që prej se Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt