Ditët e fundit janë shtuar paralajmërimet nga krerët e shtetit rreth mundësisë të një sulmi të Serbisë në Kosovë.
Pak ditë më parë ishte kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se ka informacione të sakta se me qindra njerëz në Serbi po ushtrohen dhe po përgatiten për një sulm të mundshëm ndaj Kosovës.
Edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, në një opinion për gazetën The New York Times ka deklaruar se Kosovës po i rriten kërcënimet e sigurisë nga ana e Serbisë.
Në lidhje me këtë çështje ka folur edhe Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci.
Ai ka deklaruar se Serbia nuk i ka ndalë ushtrimet provokuese as para dhe as pas sulmit terrorist të Banjskës.
E në lidhje me këto paralajmërime ka folur zyrtari i PSD-së, Bardh Ahmeti.
Ahmeti u ndal tek deklarata e kryekuvendarit ,Konjufca, duke thënë se deklarata të tilla kanë funksion të dyfishtë.
Sipas tij, me deklarata të tilla, nga njëra anë nxitja e panikut se po na kanoset një rrezik nga jashtë dhe nga ana tjetër çfarëdo lloj diskutimi substancial për dështimet e kësaj qeverie nuk vihen në pikëpyetje shkaku i atij rreziku.
“Funksioni i deklarimeve të tilla nga pushteti, e së fundmi nga Konjufca, është i dyfishtë: Në njërën anë, nxitja e panikut është mundësi mobilizimi, pra, që neve po na kanoset një rrezik nga jashtë e duhet të qëndrojmë të përgatitur për tu përballur me të, e në anën tjetër, çfarëdo lloj diskutimi substancial për dështimet e kësaj qeverie në gati çdo fushë të shoqërisë demonizohen e nuk vihen në pikëpyetje shkaku i atij rreziku”
Ahmeti tha se pushteti ka dështuar në integrimin e veriut dhe serbëve në atë pjesë dhe se është pranuar marrëveshja më e dëmshme dhe e rrezikshme deri më sot, Asociaiconi.
“Që të jemi plotësisht të qartë: Tendencën e Serbisë e kemi parasysh dhe asnjëherë nuk mund të habitemi nga apetiti dhe pretendimet e saja për Kosovën. Por, sa herë që flitet për rrezik, e në ndërkohë ai rrezik nuk ndodh, ne humbasim mundësinë të merremi me çështjet që na preukopojnë. Në këtë rast, ky pushtet, ka dështuar totalisht në integrimin e veriut e të serbëve atje dhe ka pranuar marrëveshjen më të dëmshme e të rrezikshme politike deri më sot, atë të Asociacionit, i cili tashmë është bërë obligim në cilindo forum ndërkombëtar që Kosova tenton të anëtarësohet”
Zyrtari i PSD-së potencoi se deklarata të tilla janë dashakeqe dhe kanë si qëllim shmangien nga problemi.
“Deklarimet e pushtetit janë dashakeqe dhe qëllim kanë shmangien nga problemi. Ne nuk duhet të jemi pre e grackës së tyre. Në vend të saj, kërkesa e jonë duhet të jetë ajo e paqes së përhershme e zgjidhjes përfundimtare tek e cila ky pushtet ka dështuar totalisht” deklaroi Ahmeti për Blic.