Zyrtari i PSD-së është njeri nga të arrestuarit nga policia serbe

19:39 | 13 Dhjetor 2020

Njëri nga të arrestuarit nga policia serbe është zyrtar i PSD-së.

Dy kosovarë janë arrestuar pasditen e djeshme nga policia serbe. Arrestimi i tyre u bë në momentin kur ata si pasojë e mjegullës u çorientuan dhe kaluan në territorin serb.

Njëri nga të arrestuarit në këtë rast edhe Blerim Maqastena, asamblist nga radhët e PSD-së, në Kuvendin Komunal të Podujevës.

Arrestimi i Maqastenës është konfirmuar për lajmi.net, nga zyrtarja e PSD-,së Natyra Kuçi.

Kuçi tha se janë informuar për arrestimin e Maqastenës dhe se për këtë kanë biseduar edhe me vëllaun e tij.

“Po Blerimi është arrestuar. Në ecje e sipër në mjegull ka kalu në territorin e Serbisë dhe është arrestuar. Kam biseduar me vëllaun dhe ende nuk është liruar. Blerimi ka njoftu autoritetet tona që ka shkel në Serbi dhe autoritetet e Serbisë veç e kanë arrestuar”, tha Kuçi

Ndryshe lajmi për arrestimin e dy qytetarëve të Podujevës është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët thanë se kanë kontaktuar me autoritetet përgjegjëse në Serbi, ku edhe kanë marrë konfirmimin për arrestimin e tyre.

“Pas pranimit të informacionit se dje pasdite dy persona afër fshatit Mirovc-Merdar mund të jenë çorientuar si pasojë e mjegullës dhe mund të kenë dalur në territorin serbë, Policia e Kosovës ka ndërmarr veprime te menjëhershme dhe është interesuar duke kontaktuar edhe palën tjetër në kufi, ku nga zyrtarët kompetent të pikëkalimit kufitar me shtetin fqinjë ka marr konfirmimin nga ta se dy personat shqiptarë të Kosovës janë ndaluar nga autoritetet policore serbe, janë duke e trajtuar rastin e tyre dhe sipas tyre nuk mund të japin më shumë informacione për shkak të procedurave të mëtejme”, thanë nga Policia e Kosovës.

Duhet përkujtuar që ky nuk është arrestimi i parë që bëhet nga autoritetet serbe dhe se në plot raste këto arrestime shkuan edhe më larg me burgosjen e tyre për muaj të tërë.

Ndryshe nga Ministria e Punëve të Jashtme ende nuk pati ndonjë deklaratë lidhur me zhvillimet që kanë të bëjnë me arrestimin e dy qytetarëve të Podujevës nga policia e Serbisë.

Komento: