Lazio zyrtarizon pasuesin e Igli Tares.
Igli Tare vendosi të ndahej këtë verë nga Lazio, klub në të cilin shërbeu si lojtar dhe si drejtor sportiv.
Ish-futbollisti i kombëtares pati një epokë shumë të suksesshme në rolin e drejtorit sportiv të bardhekaltërve duke transferuar lojtarë të cilët më pas u shndërruan në yjet më të vlerësuar në arenën italiane dhe atë europiane.
Megjithatë, tashmë që Tare është larguar, në klubin e Lazios përgatiten të nisin një erë të re pa shqiptarin në krye të detyrave. Së fundmi, kryeqytetasit kanë zyrtarizuar pasuesin e Tares teksa detyra e drejtorit sportiv i besohet Angelo Mariano Fabiani.
Ky i fundit ka punuar më parë në klubin e Salernitanës ndërsa në korrikun e vitit 2022 ishte emëruar përgjegjës i sektorit të të rinjve të Lazios.
Tashmë, klubi vendos ta promovojë 62-vjeçarin që do të ketë detyrën e vështirë për të bërë që të harrohet emri i Tares dhe goditjeve të tij në merkato.