Edhe një tjetër zyrtare e lartë e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump së shpejti do ta vizitojë Kosovën.
Ajo është ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjen e Narkotikëve, Kirsten D. Madison.
Sipas një njoftimi të Departamentit të Shtetit, zonja Madison do të takohet me kryeministrin Ramush Haradinaj, zyrtarë të Policisë së Kosovës, të Ministrisë së Drejtësisë, të Shërbimit Korrektues dhe anëtarë të shoqërisë civile, për të nxitur reformën në drejtësi dhe në zbatimin e ligjit në Kosovë.
Ajo do të flasë në një ceremoni ku do të dhurohen pajisje që do të rrisin ndjeshëm aftësitë ligjzbatuese në Agjencinë e Mjekësisë Ligjore të Kosovës.
Para se të shkojë në Kosovë, zonja Madison do të kryesojë një delegacion amerikan që do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të Komisionit të 62-të për drogat narkotike në Vjenë.
Në takim, Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë veprime në rritje nga vendet e ndryshme, për të kontrolluar drogat e paligjshme sintetike që po ushqejnë krizën e tanishme të opioideve në SHBA, raporton VOA.
Departamenti amerikan i Shtetit lufton trafikimin e drogës, krimin ndërkombëtar dhe korrupsionin kudo në botë, duke ndihmuar qeveritë dhe shoqërinë civile të ndërtojnë shoqëri të forta, të qëndrueshme dhe të ndershme që luftojnë krimin ndërshtetëror dhe destabilizimin, të cilat kërcënojnë sigurinë e amerikanëve.