11 pacientë me koronavirus po trajtohen në Klinikën Infektive

09:05 | 05 Qershor 2020

Në Klinikën Infektive po trajtohen 11 pacientë me COVID-19, ndërkaq, dy të shëruar vazhdojnë trajtimin për shkak të sëmundjeve tjera.

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinikë Universitare të Kosovës, po vazhdojnë të qëndrojnë edhe 11 pacientë të infektuar me COVID-19, ndërsa edhe dy pacientë që janë shëruar tashmë nga kjo sëmundje po vazhdojnë trajtimin në këtë klinikë për shkak të sëmundjeve tjera shoqëruese.

Drejtoresha e kësaj klinike, Lindita Berisha ka dhënë detaje për Telegrafin, ku tha se gjendja e njërit prej pacientëve i cili është shëruar nga COVID-19 është e rëndë.

“Në Klinikën infektive janë 11 raste që janë pozitiv me COVID-19. Prej këtyre 11 rasteve, 5 janë me oksigjeno-terapi. 3 raste të tjera janë në pritje të rezultateve. Dy raste të cilat janë negativ, po e vazhdojnë mjekimin. Në mjekimin intensive, janë dy raste, njëra është pozitiv me COVID-19 dhe po trajtohet me oksigjeno-terapi, ndërsa është edhe një rast i cili është shëruar nga COVID-19, por po vazhdon të trajtohet pasi është në gjendje të rëndë për shkak të sëmundjeve tjera”, tha Berisha.

Ndryshe, rastet e para me COVID-19 në Kosovë, u shënuan më 13 mars. Nga ajo datë deri më 4 qershor janë evidentuar 1.147 raste me këtë virus me gjithsejtë 30 viktima. Ndërsa 874 pacientë janë shëruar.

Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Komento: