20 mijë euro i janë shtuar buxhetit të Prishtinës nga gjobat e shqiptuara gjatë fushatës – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

20 mijë euro i janë shtuar buxhetit të Prishtinës nga gjobat e shqiptuara gjatë fushatës

11:53 | 17 Mars 2021

Buxhetit të Prishtinës iu shtuan 20 mijë euro nga gjobat e shqiptuara gjatë fushatës.

Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, gjatë fushatës parazgjedhore ka shqiptuar gjoba për të gjitha ato subjekte të cilat nuk kanë zbatuar masat antiCOVID-19 gjatë organizimit të tubimeve.

Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri ka thënë se gjithsejtë janë shqiptuar 20 gjoba, ku deri më tash janë paguar vetëm 10 prej tyre.

“Janë shqiptuar gjithsejtë 20 gjoba. Lëvizja Vetëvendosje ka 7 gjoba, Lidhja Demokratike e Kosovës ka 5, Partia Demokratike e Kosovës ka 3, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka 3, Nisma Socialdemokrate ka 1 dhe Aleanca Kosova e Re 1. Deri më tash janë paguar 10 gjoba prej 20 sa janë shqiptuar në total”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka treguar se subjektet që kanë paguar gjobën janë LVV-ja, PDK-ja dhe AKR-ja.

“LVV-ja ka paguar 6 nga 7 gjoba sa ka pasur gjithsejtë, PDK-ja i ka paguar 3 dhe AKR-ja 1. Njëra gjobë e papaguar nga LVV-ja është për shkak se ka mbërritur më vonë në subjekt, qoftë për shkak të postës qoftë për shkak të administratës dhe afati për pagesën e saj është shtyrë”, ka deklaruar Tahiri për Telegrafin.

Tahiri ka shtuar se gjobat tjera janë bartur tek zyra ligjore për procedim të mëtutjeshëm tek përmbaruesi.

Ndryshe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, deri më tani nuk kanë kryer asnjë pagesë të gjobave të shqiptuara nga Drejtoria e Inspeksionit.

Kujtojmë se gjobat e shqiptuara kanë qenë në vlerë të 2 mijë eurove, ku sipas kësaj nga 20 gjobat e shqiptuara në total që janë paguar 10 prej tyre, buxhetit të Komunës së Prishtinës i janë shtuar 20 mijë euro.

Në Ligjin për Kundërvajtje në nenin 30 ku flitet për afatin e pagesës së gjobës, theksohet se afati më i shkurtër për pagesë është 15 ditë, kurse më i gjati 90 ditë.

“Në vendimin për kundërvajtje, me të cilin përcaktohet afati i pagimit të gjobës, i cili nuk mund të jetë më i shkurtër se pesëmbëdhjetë (15) ditë, dhe më i gjatë se nëntëdhjetë (90) ditë nga data e formës së prerë të vendimit, ndërsa në rastet e arsyeshme, varësisht nga lartësia e dënimit me gjobë dhe gjendja ekonomike e të pandehurit, organi i kundërvajtjes apo gjykata mund të përcaktojë që sanksioni kundërvajtës, i shqiptuar me gjobë të paguhet në këste, por që afati i pagesës nuk mund të jetë më i gjatë se gjashtë (6) muaj”, thuhet në Ligjin për Kundërvajtje.

Komento: