27 vjetori i Betejës së Loxhës, Abdixhiku përkujton dëshmorët e rënë

13:26 | 06 Korrik 2025
27 vjetori i Betejës së Loxhës, Abdixhiku përkujton dëshmorët e rënë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar të gjithë të rënët në Betejën e Loxhës 27 vjet më parë.

“Në përvjetorin e 27-të të Betejës së Lavdishme të Loxhës, përulemi me respekt dhe krenari para kujtimit të bijve më të mirë të kombit tonë, që sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në këtë ditë kujtese, nderojmë qëndresën, guximin dhe dashurinë e pashoq për atdheun të Kolonel Tahir Zemajt; strategut të urtë dhe komandantit të vendosur, që qëndroi krah për krah me Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova në rrugëtimin e vështirë për liri. Kujtojmë me nder dhe krenari Heroin Rrustem Bruçi; juristin, veprimtarin dhe luftëtarin e palodhur për të drejtat e popullit tonë, si dhe një prej themeluesve të LDK-së e komandantin e UÇK-së në zonën e Deçanit.

Lavdia dhe sakrifica e Lumni Surdullit dhe Enver Alajt janë dëshmi e përjetshme e guximit të brezit që nuk u përkul para asnjë force. Ata ranë për të mos u harruar kurrë, duke dëshmuar se ëndrra për një Kosovë të lirë dhe sovrane është më e madhe se çdo pengesë.

Gjaku i derdhur në Loxhë është amanet në rrugëtimin tonë të përditshëm, të mbajmë gjallë kujtesën e së kaluarës dhe të ndërtojmë me dinjitet të ardhmen, të punojmë fort për forcimin e idealit të të rënëve për liri.

Lavdi të përjetshme të gjithë dëshmorëve të Betejës së Loxhës!”, shkroi ai.

Komento: