3 vjet nga fitorja e VV-së / Opozita: Kurti shumë dështime, pak suksese

08:03 | 14 Shkurt 2024
3-vjet-nga-fitorja-e-vv-se-/-opozita:-kurti-shume-deshtime,-pak-suksese

14 Shkurti i këtij viti shënon edhe zyrtarisht 3-vjetorin e fitores së Albin Kurtit në zgjedhjet parlamentare.

Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje mori mbi 51% të votave në këto zgjedhje.

Me këtë rezultat Albin Kurti arriti ta formojë i vetëm Qeverinë.

Lëvizja Vetëvendosje la pas vetes Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjen Demokratike të Kosovës(LDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Aktualisht qeverisja “Kurti”, ka 56 deputet ani pse në fillimet e saj kishte 58.

Kjo, për shkak që dy nga deputetët Haki Abazi dhe Fatmir Humolli tashmë edhe zyrtarisht janë larguar nga partia.

Por, pavarësisht shumicës nga opozita po thonë se kjo është qeverisja më e dobët që nga paslufta.

Analistë politikë po vlerësojnë se situata me këtë qeveri është pothuajse e njëjtë sikurse me qeveritë  e kaluara.

 Bunjaku-Rexhepi: VV-ja nuk i fiton zgjedhjet e ardhshme, do i paguajë sondazhet me paratë e skandaleve

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi po thotë se ani pse qeverisja “Kurti”, ka shumicën dhe mandatin më të gjatë pa u penguar nga askush, është qeverisja më e dobët që nga paslufta.

“Qeverisja “Krejt dhe drejt”, ndonëse me aq shumë deputetë të LVV-së, ndonëse për mandatin më të gjatë pa u penguar nga askush, është qeverisja më e dobët që nga paslufta. Arrogancë numrash, mazhorancë e lodhtë, degradim, stagnim, kthim mbrapa për Kosovën”, është shprehur Bunjaku-Rexhepi për Front Online.

Ajo, ka përmendur edhe fushat se ku ka stagnuar qeveria “Kurti”.

“Stagnimet ishin në menaxhimin katastrofal të pandemisë e inflacionit, rritje e çmimit të energjisë elektrike dy herë, reduktime maksimale të rrymës, skandalin ne rezervat shtetërore të drithërave, skandali i Martinit, skandali në KEK, pranimi i autonomisë serbe e Asociacionit Plus, prishja e raporteve me SHBA-të dhe krejt aleatët e Perëndimit, skandali i ministrave në sektorët kryesorë, mos-faturimi i energjisë në Veri për tri vjet, diplomacia e jashtme për faqe të zezë etj. Nepotizmi e militantizmi partiak në punësim, ndërhyrjet në drejtësi, disa shkelje kushtetuese etj. etj”, ka thënë ajo.

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, në vazhdimësi po deklarojnë që do të jenë fitues edhe në zgjedhjet e ardhshme.

Por, një gjë të tillë po e kundërshton deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi.

Ajo po beson se në zgjedhjet e ardhshme do të rikthehet fuqishëm LDK-ja.

 “Nuk i fiton zgjedhjet e ardhshme. Do të rikthehet fuqishëm LDK-ja. Do ta shihni se sondazhet janë paguar nga LVV-ja me paratë e skandaleve”, ka thënë ndër të tjera ajo.

Deputeti i PDK-së: Kurti për tri vjet ka realizuar skenare ruso-serbe për Kosovën

Deputeti i PDK-së Ardian Kastrati ka hedhur akuza të shumta ndaj qeverisë “Kurti”.

Ai po thotë se për tri vjet Kurti ka realizuar skenarë ruso-serbe për Kosovën.

Kastrati ka përmendur edhe çështjen e njohjeve, sanksionet e çështje të tjera.

“Për tri vite në pushtet Kurti ka realizuar skenarë ruso-serbe për Kosovën. Qeveria e Kosovës i ka antagonizuar e ftohur marrëdhëniet me sponsorët kryesor të këtij shteti si SHBA-në dhe BE-në. Ka pranuar sanksione në vlerë prej 300 milionë euro pikërisht nga ata që e bombarduan Serbinë, ka pranuar autonomi politiko-teritoriale për serbët e cila del komplet jashtë rendit kushtetues të Kosovës dhe ka shkatërruar sektorin privat si punëdhënësin më të madh dhe i ka zvogëluar rrogat në sektorin publik”, është shprehur Kastrati për Front Online.

Kastrati, ka folur edhe për siç ka thënë ai për korrupsionin e kësaj qeverie, duke përmendur aferat milionëshe.

“Për korrupsion mos të flasim, keni aferat milionëshe me Martinin, ato milionëshe në KEK me Nagipin, afera milionëshe në rezervat shtetërore me Ridin, pastaj me qindra kontrata një burimore që nënkuptojnë hajni milionëshe pa procedura të hapura prokurimi. Ndërkohë, për tri vite asnjë investim kapital, asnjë rrugë, asnjë projekt i madh, asnjë investim i huaj. Në politikat e jashtme asnjë njohje përveç se degradim i shërbimit të jashtëm përmes një mediokre komike siç është Donika Gërvalla”, ka thënë ndër të tjera Kastrati.

Sipas tij as Rusia e as Serbia as në ëndrra nuk e kanë parë që në vitin 2024 Qeveria e Kosovës do të realizonte vet planet ogurzeza ruso-serbe.

“Rusia e Serbia as në ëndrrat e tyre më të mira nuk do ta paramendonin që në vitin 2024 vet Qeveria e Kosovës do t’i realizonte planet ogurzeza ruso-serbe për Kosovën. Na duket si ëndër, por ky është realiteti i hidhur me Kurtin në krye të qeverisë për tri vite”, ka thënë ai.

Bytyqi e AAK-së: Qeveria “Kurti”, është kampione e paparë në dështime

Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi ka thënë se parti ën pushtet nuk do të njihet për asgjë në aspektin e mirë.

Por, do të njihet shumë për të keq në gjithë propagandën e bërë dhe mosrealizimin e premtimeve.

“Meqenëse i kanë qejf simbolikat, ua kisha sugjeru që nesër në tre vjetorin e tyre më dal më një video, ku këta janë kampionët e paparë në dështime, meqenëse i kanë për qejfi përmbledhjet e editimet”, është shprehur Bytyqi për Front Online.

Bytyqi, nuk beson se Lëvizja Vetëvendosje do të fitoj përsëri në zgjedhjet e ardhshme.

Pasi, që siç thotë ajo populli duhet ta sheh realitetin dhe nuk duhet me ia dhënë votën.

“Nuk besoj se do të fitoj, pasi gjendja faktike tregon se ky vend prej kur është në udhëheqje të kryeministrit Kurti veç teposhtëza e ka marr, me masa ndaj vendit, me eskalime të njëpasnjëshme, tensione, prishje raportesh me aleatët e çka jo tjetër, andaj, nëse populli vendos ta sheh realitetin siç është, nuk duhet me ia dhënë votën, nuk bën me ndëshku vetën me një kryeministër që veç ka punu për të keq”, ka shtuar ajo.

Demhasaj: VV-ja mund t’i fitojë edhe zgjedhjet e ardhshme, por jo me përqindjen e njëjtë

Analisti politik Arton Demhasaj deklaron për Front Online se me qeverisjen ‘Kurti’, nuk ka pasur ndonjë ndryshim të madh në fushat kryesore.

Ai ka përmendur çështjen e arsimit, shëndetësisë e zhvillimin ekonomik.

“Në një farë mënyre Kosova në tri vjet të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje nuk është që ka ndodhë ndonjë  lëvizje e madhe në këto fusha, thjesht ka stagnu ashtu siç ka qenë edhe para tri viteve. Pra, pak a shumë situata është e njëjtë”, është shprehur Demhasaj për Front Online.

Ndërsa, beson se Kurti do t’i fitojë edhe zgjedhjet e ardhshme, por se jo me përqindjen sikurse në zgjedhjet e kaluara.

“Potencialisht në rast se shkohet në zgjedhje sidomos me disa veprime që janë ndërmarrë në veri që janë pak a shumë vendime që nuk mund të quhen populiste kjo mund të ketë ndikim që prapë se prapë Vetëvendosja të jetë partia e parë, kjo për shkak që edhe partitë opozitare nuk është që kanë punu shumë në këto tri vite që me arrit me rikthy elektoratin që kanë, kështu që me gjasë nëse tash për tash shkojmë në zgjedhje mund të del VV-ja prapë partia e parë, por jo me përqindjen që ka pas në zgjedhjet e kaluara”, ka shtuar ai.

 Dritëro Arifi: Qeveria “Kurti”, e ka instaluar gjuhën e urrejtjes

Analisti politik, Dritëro Arifi deklaron se qeveria “Kurti”, ka arritje shumë pak dhe se ajo që mund të përmendet është çështja e menaxhimit të situatës në veri.

“Mund të themi që kjo qeveri arritje ka shumë pak, por janë substanciale siç është çështja e menaxhimit të situatës në veri , por megjithatë me një menaxhim fragjil sepse ende nuk e dim rezultatin final në kuptimin e marrëveshjes se çka do të ndodhë me Asociacionin dhe një arritje tjetër është që kemi me pak korrupsion”, është shprehur Arifi për Front Online.

Arifi ka folur edhe për stagnimet e kësaj qeverie, duke përmendur disa nga fushat kryesore.

“Sa i përket stagnimeve ka stagnime substanciale pra po themi reforma në drejtësi, arsimi, shëndetësia pra pak a shumë lëvizje milimetrike në kuptimin e fjalës por nuk ka gjë të prekshme që qytetarët do të thonin eh kjo është gjë është fillim i mirë. Po ashtu edhe në ekonomi gjendja e qytetarëve është shumë e rënduar edhe për shkak të inflacionit. Për politikë të jashtme nuk kemi nevojë as të flasim, ka pasur shumë skandale, shumë probleme, shumë konfrontime me perëndimorët”, ka shtuar Arifi.

Sipas tij, problemi kryesor që e ka përcjellë qeverisjen “Kurti”, është instalimi i gjuhës së urrejtjes.

“Problemi kryesor që e ka përcjellë këtë qeverisje është gjuha e urrejtjes të cilën e kanë instaluar ndaj çdo elementi që nuk është i përshtatshëm për botëkuptimin e Vetëvendosjes dhe kjo është gjithmonë ajo nëse e hap një gropë mund të biesh edhe vet në të”, ka thënë ndër të tjera Arifi.

Qeveria ‘Kurti 2’, është votuar më 22 mars të vitit 2021 më 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim./Front Online/

 

 

 

Komento: