6-vjetori i Ushtrisë së Kosovës/ Misioni përmbushet me anëtarësimin në NATO

08:08 | 14 Dhjetor 2024
6-vjetori-i-ushtrise-se-kosoves/-misioni-permbushet-me-anetaresimin-ne-nato

Janë bërë 6 vite prej se Kosova ka ushtrinë e saj.

Vendimin e morën deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët me 106 vota pro dhe një abstenim, votuan tri ligjet që ndryshuan mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, por pa iu ndryshuar emri.

Ligjet që u miratuan: Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Në seancën për ushtrinë, nuk kishin marrë pjesë deputetët serbë, të cilët e kishin kundërshtuar transformimin.

Ky vendim i të zgjedhurve të popullit u cilësua si vendim historik, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, derisa tani pas gjashtë viteve të themelimit, po kritikohet Qeveria aktuale për mos krijimin e kushteve të mira për pjesëtarët e FSK, për mos rritjen e buxhetit dhe avancimin e tyre.

Ish-komandanti Hisen Berisha: FSK-në po e kthejnë në kuzhinierë dhe kamerierë, kjo nuk është misioni i Ushtrisë

Ish-eprori i UÇK-së, Hisen Berisha, ka kritikuar ashpër Qeverinë “Kurti” për angazhimin e saj 6 vitet e formimit të Ushtrisë së Kosovës, duke theksuar se ka sjellë falimentimin e segmenteve të ndryshme, përfshirë dhe ushtrinë.

Ai ka akuzuar Qeverinë për dështimin në përmbushjen e objektivave të fazës së parë të planit gjithëpërfshirës dhe për krijimin e një “stagnimi” në procesin e transformimit të FSK-së.

“Kjo Qeveri cilësohet për një punë, e cila ka sjellë deri të falimentimi i të gjitha segmenteve edhe te ushtria”.

Ai ka kritikuar ashpër projektin për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, duke e cilësuar atë si një tendencë për të minuar projektin për ushtrinë dhe si një shkak të stangimit në zhvillimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Projekti për shërbim të detyrueshëm ushtarak ka qenë një tendencë për minim të projektit për ushtri dhe ka shkaktuar një shtangim, mirëpo ky stangim ka shkaktuar dështimin në përmbushjen e objektivave të detyrave të fazës së parë dhe ato tani janë bartur në të dytin dhe ende s’janë përfunduar”.

Ai ka theksuar se ende nuk janë deklaruar kapacitetet fillestare operacionale të Ushtrisë, duke i bërë thirrje qeverisë që të përmbushë detyrimet e saj për të krijuar një ushtri funksionale dhe të aftë.

“Ende nuk janë deklaruar kapacitetet fillestare operacionale se nuk janë arritur. Ushtria ka përformuar shkëlqyeshëm, çdo arritje sukses e blerje nuk është arritje e meritë e asnjë person,i por meritë e planit gjithëpërfshirës të tranzicionit”, shprehet Berisha.

Ai ka kritikuar tendencat, siç ka thënë, për të bërë fushatë elektorale me pajisjet dhe blerjet e mjeteve për FSK-në, duke e cilësuar këtë si një rrezik të madh për zhvillimin e ushtrisë.

“Tendenca për të bërë fushatë elektorale mbi pajisjet dhe blerjet e mjeteve të FSK është e rrezikshme. E shkelën ligjin e prokurimit për ushqim dhe ushtarët që janë profesionist i kanë kthyer në kuzhinierë dhe kamerierë, ky nuk është mision i FSK-së”, shprehet Berisha.

Ish-Koloneli i FSK-së: Ushtria e Kosovës mund të bëhet pjesë e NATO-s vetëm me ndihmën e partnerëve ndërkombëtar

Ish-koloneli i FSK-së, Afrim Veseli, për “Front Online” ka vlerësuar 6 vitet e fundit të zhvillimit të Ushtrisë së Kosovës, duke theksuar se rezultatet janë shumë pozitive.

Ai e vlerëson angazhimin dhe përkushtimin e ushtarakeve të FSK-së, të cilët kanë kontribuar në ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë deri në nivelin që jemi sot.

“6 vite të zhvillimi të FSK, që mund të shihet se ka rezultate shumë të mira. Këto zhvillime duhet falënderuar së pari ushtarakët e FSK me përkushtim kanë ngrite kapacitet këtu ku jemi”, thotë ai.

Sipas Veselit, qeveritë e tjera, përfshirë atë të tanishmen, nuk e kanë bërë prioritet rritjen e buxhetit për ushtrinë.

“Qeveritë tjera dhe kjo e fundit nuk e kanë pasur primare shtimin e buxhetit që FSK të ec edhe më shpejtë”, shprehet Veseli.

Ndërsa për vitin 2024, ai vlerëson rritjen e buxhetit të FSK-së, si një hap pozitiv.

“Përjashtim këtë vit që është rrit buxheti për 2% të GDP-së është e mirë”, vlerëson ai.

Veseli sugjeron që buxheti për ushtrinë duhet të rritet më shumë në vitet e ardhshme, deri në 5% për një periudhë prej 5 vitesh, për të siguruar forcimin e sigurisë në rajon dhe më gjerë.

“Buxheti për FSK duhet të ngritët edhe më shumë deri në 5% së paku për 5 vite”.

Ai gjithashtu ka shtuar se anëtarësimi i FSK-së në NATO mund të realizohet kur politika kosovare të tregojë pjekuri dhe të konsolidojë partneritetet me miqtë ndërkombëtarë.

“Anëtarësimi në NATO do të ndodh kur politika kosovare tregon pjekuri dhe partneritet me miqtë”, përfundoi Veseli për “Front Online”.

Gazmend Syla: Ushtrinë e bëri ish-kryeministri Ramush Haradinaj

Gazmend Syla, kryetar i degës së OVL-UÇK-së në Pejë, ka vlerësuar formimin e Ushtrisë së Kosovës si një moment historik, duke theksuar se ky vendim, nën udhëheqjen e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ka qenë një përmbushje e amanetit të dëshmorëve.

Ai ka kujtuar se ky proces ka qenë i mbështetur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht nga Gjenerali James Mattis, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në realizimin e këtij angazhimi.

“Vendimi për formimin e Ushtrisë së Kosovës nën drejtimin e Ramush Haradinajt ishte një moment historik i përmbushjes së amanetit të dëshmorëve dhe gjithë brezit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo u realizua në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht me Gjeneralin James Mattis, i cili ishte një mbështetës i fuqishëm i këtij procesi”, tha Syla.

Syla ka theksuar se, gjatë asaj periudhe, në koordinim me SHBA-të, është hartuar një plan 10-vjeçar për zhvillimin e Ushtrisë së Kosovës, që përfshinte rritjen e kapaciteteve dhe furnizimin me armatime moderne.

“Po atë kohë, u hartua në koordinim me SHBA një plan 10-vjeçar për zhvillimin e Ushtrisë, duke përfshirë rritjen e kapaciteteve dhe furnizimin sistematik me armatime moderne”.

Megjithatë, Syla ka kritikuar ashpër pushtetin e tanishëm për trajtimin e Ushtrisë së Kosovës, duke e akuzuar atë për veprime që dëmtojnë integritetin dhe dinjitetin e forcave të sigurisë.

Ai ka përmendur largimin e FSK-së nga stërvitja Defender 2023, si një nga momentet më të rëndësishme të këtij dënimi.

“Sot shume vjet pas, pushteti i sotëm luan me uniformen e shtetit me veprime qëllimisht të dëmshme. Demi me i madh qe i kane bërë Ushtrisë mbetet largimi i saj nga Defender 2023 dhe trajtimi jo i dinjitetshem me paga dhe kushte te jodinjitetshme, çka kane shtyre shume ushtar te largohen”, ka thënë ai.

Syla ka kritikuar edhe premtimin e Kryeministrit Albin Kurti për krijimin e Ushtrisë së detyrueshme, duke e cilësuar atë si “mashtrim ordiner”.

“Premtimi i Kurtit se Kosova do të ketë ushtri të detyrueshme doli të jetë vetëm mashtrim ordiner. ‘Fondi i Sigurisë’ më as që përmendet nga ai. Ushtria duhet të trajtohet nga shteti me dinjitet e respekt e jo me mashtrim”, vlerësoi Syla për “Front Online”.

Shala: Duhet të rritet buxheti i Ushtrisë

Njohësi i sigurisë, Drizan Shala, ka folur për “Front Online” për 6 vitet e para të themelimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ai ka theksuar se për të përmbushur misionin dhe mandatin e saj, i cili ka si qëllim mbrojtjen dhe ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës, është e domosdoshme të rritet buxheti i FSK-së.

Shala ka deklaruar se bazuar në kalkulimet dhe vlerësimet e rrethanave gjeopolitike, është e nevojshme që FSK të ketë mjetet dhe armatimet përkatëse për të përballuar sfidat.

“Duhet të rritët buxheti sepse në bazë të kalkulimeve dhe vlerësime e rrethanave gjeopolitike në konceptin e sigurisë, FSK duhet të përmbushet në aspektin ushtarak për mjetet përkatëse, armatimeve të ndryshme që përmbush me përpikëri misionin dhe mandatin që e ka për mbrojtën dhe integritetin territorial të Kosovës”, tha Shala.

Ai gjithashtu ka kritikuar Qeverinë për mosarritjen e një suksesi të dukshëm në avancimin e mëtejshëm të këtij plani gjithëpërfshirës, që synon përforcimin e kapaciteteve ushtarake të Kosovës.

“Qeveria aktuale nuk ka arritur ndonjë sukses për avancimin e mëtutjeshëm të këtij plani gjithëpërfshirës”, theksoi Shala.

Shala ka theksuar se FSK ka hasur në vështirësi logjistike, të cilat duhet të zgjidhen pas zgjedhjeve, për të mundësuar zhvillimin e mëtejshëm të forcave të sigurisë të Kosovës.

“I gjithë spektri politik janë një zëri që procesi i transformimit dhe mbështetja duhet të jetë për të arritur qëllimet. FSK ka pasur disa vështirësi në aspektin logjistik, kjo duhet të zgjidhet pas zgjedhjeve”, shprehet Shala.

Gjashtë vite pas formimit të Ushtrisë së Kosovës, kjo forcë tashmë ka objektivat e qarta të saja, siç janë anëtarësimi në organizatën më të fuqishme ushtarake në botë dhe të sigurisë së paqes, NATO-s./FrontOnline

Komento: