67 mjekë sivjet ikën nga Kosova, opozita thotë se sistemi shëndetësor është në prag të kolapsit

09:01 | 08 September 2024
67-mjeke-sivjet-iken-nga-kosova,-opozita-thote-se-sistemi-shendetesor-eshte-ne-prag-te-kolapsit

Largimi i mjekëve nga Kosova për të kërkuar mundësi dhe kushte më të mira pune në vende të tjera po krijon një krizë serioze në sektorin shëndetësor të vendit.

Ky fenomen ka sjellë një mungesë të theksuar të stafit në qendrat mjekësore, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në cilësinë dhe disponueshmërinë e shërbimeve shëndetësore për qytetarët.

Institucionet e shëndetësisë përballen me një sfidë të madhe në përpjekjet e tyre për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të krijuar iniciativa  që mund të ndihmojnë në mbajtjen e profesionistëve të kualifikuar në vend

Në lidhjen e ikjen e mjekëve nga Kosova për FrontOnline është deklaruar Pleurat Sejdiu Kreu i Odës së Mjekëve të Kosovës, ku sipas të cilit përgjatë këtij viti 67 mjekë janë pajisur me certifikate mbi te kaluarën Etike dhe Profesionale, dokument që u shërben atyre për punësim jashtë vendit.

“Nga fillimi i vitit 2024 e deri me sot janë 67 mjeke te cilën janë pajisur me certifikate mbi te kaluarën Etike dhe Profesionale dokument ky qe nevojitet për punësim jashtë vendit”, tha Sejdiu për FrontOnline.

Haxhiu: 3400 profesionistë shëndetësor kanë ikur nga Kosova gjatë 3 viteve të fundit

Për FrontOnline në lidhje me largimin e mjekëve nga Kosova janë deklaruar edhe nga opozita.

Deputeti Bekim Haxhiu ka ngritur një shqetësim të madh lidhur me ikjen masive të profesionistëve shëndetësorë nga Kosova, duke e cilësuar këtë fenomen si alarmant dhe kërcënues për sistemin shëndetësor të vendit. Sipas deklaratës së tij, mbi 3400 profesionistë shëndetësorë, përfshirë mjekë, stomatologë, infermierë, fizioterapistë dhe teknikë mjekësorë, kanë braktisur Kosovën gjatë tre viteve të fundit. Haxhiu thekson se ky trend është në rritje dhe po vazhdon edhe në vitin 2024, duke u shndërruar në një dukuri shqetësuese për funksionimin e sistemit shëndetësor.

” Mbi 3400 profesionistë shëndetësor (mjek, stomatolog, infermier, fizioteraeput, teknik mjekësor etj.) kanë ikur nga Kosova ne tri vitet e fundit, kjo është ALARMANTE! Ikja e mjekëve dhe profesionistëve tjerë shëndetësor nga Kosova është shndërruar në dukuri shqetësuese për sistemin tonë shëndetësor”, tha Haxhiu.

 

Ai e sheh këtë situatë si një kërcënim të mundshëm për kolapsin e këtij sistemi, pasi kapaciteti për të prodhuar profesionistë shëndetësorë nuk është në përpjesëtim me ritmin e ikjes së tyre. Deputeti kritikoi ashpër Qeverinë për mosveprimin në këtë çështje, duke theksuar se mungesa e një strategjie të qartë dhe planit të mirëfilltë për të trajtuar këtë problem është shkaku kryesor i krizës. Ai kërkon një strategji të miratuar dhe mbështetje të ndjeshme për profesionistët shëndetësorë për të ndaluar këtë trend dhe për të siguruar që ata të qëndrojnë në sektorin publik në vend të kalimit në sektorin privat ose largimit nga vendi.

 

“Ne nuk mund të prodhojmë profesionist shëndetësor aq sa po ikin nga Kosova dhe kjo do te dërgoj ne kolaps te sistemit shëndetësor. Unë jam i shqetësuar me mos veprimin e Qeverisë për të ndaluar dukurin e ikjes se mjekëve dhe profesionistëve tjerë shëndetësor nga Kosova. Kjo dukuri po vazhdon me trend te rritjes edhe ne vitin 2024 dhe Qeveria këtë problem nuk është duke trajtuar as me seriozitet dhe as me prioritet. Duhet te ketë strategji te miratuar mbështetëse për profesionistët shëndetësorë për te stopuar trendin e ikjes se profesionisteve shëndetësor nga Kosova dhe nga sektori publik ne atë privat”, deklaron deputeti Haxhiu.

 

Dreshaj: S’ka asnjë iniciativë nga Qeveria për përmirësimin e kushteve  për mjekët

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi nga radhët e AAK-së, e ka cilësuar largimin e mjekëve nga Kosova si një problem të madh dhe shqetësues.

Në një deklaratë për Front Online, Dreshaj ka theksuar se mjekët po ikin për shkak të pagave të ulëta dhe kushteve të papërshtatshme të punës, dhe se nuk ka asnjë përmirësim të dukshëm në këtë drejtim.

“Largimi i mjekëve nga Kosova është brengosës, Qeveria s’po i përmirëson kushtet. Nuk po mendohet për me u rritë paga e mjekëve se kryesisht për paga e kushte të punës po ikin jashtë vendit”, u shpreh Dreshaj”,

Dreshaj ka kritikuar ashpër Qeverinë për mungesën e veprimeve konkrete në përmirësimin e kushteve të punës për profesionistët e shëndetësisë. Ai ka theksuar se nuk ka asnjë iniciativë nga ana e Qeverisë për të rritur pagat e mjekëve dhe për të përmirësuar ambientin e punës, duke e bërë të qartë se kjo është një çështje që duhet adresuar urgjentisht.

“S’ka asnjë iniciativë nga Qeveria për përmirësimin e kushteve për punësim për mjekët”, deklaroi Dreshaj për Front Online.

 

Komento: