
Gonçalo Ramos vazhdon të ketë vetëm një gol të shënuar këtë sezon, por mungesa e golave nuk duket se po shqetëson trajnerin Ruben Amorim.
Sipas Calciomercato.com, sulmuesi portugez po dëshmon se edhe kur nuk shënon, mund të jetë vendimtar për ekipin. Ideja është e thjeshtë: nëse Ramos nuk e gjen rrjetën, ai ndihmon shokët e skuadrës të shënojnë.
Ramos u afrua pjesërisht për mentalitetin që kishte fituar gjatë periudhës së tij me Luis Enriquen te PSG. Për sulmuesin portugez, rëndësi ka mbi të gjitha ekipi, mënyra se si luan dhe kontributi i secilit në zbatimin e filozofisë së trajnerit.
Kjo u pa edhe në ndeshjen e fundit, kur Ramos festoi golin e Diego Moreiras për 2-0, edhe pse në atë aksion kishte mundësinë të merrte topin në një pozicion të favorshëm. Për të, më e rëndësishme ishte që skuadra të fitonte, transmeton ORAinfo.
Amorim: “Golave do t’u vijë koha”
Ruben Amorim u shpreh i qetë për situatën e sulmuesit portugez.
“Është normale. Ramos punon shumë dhe golat do të vijnë. Ai tashmë ka shënuar, ka dhënë një asistim dhe, mbi të gjitha, jep shumë për ekipin. Sot ishim më pranë tij dhe për këtë arsye ai luajti më mirë. Është një kombinim i të dyja faktorëve, por jam shumë i kënaqur me Ramosin”, deklaroi Amorim për SportTV.
Pavarësisht paraqitjes jo të mirë të Lecce-s, Amorim aplikoi disa ndryshime interesante taktike. Në fazën e parë të ndërtimit të aksioneve, skuadra kaloi në një formacion me katër mbrojtës, ndërsa krahët patën detyrën të sulmonin vazhdimisht hapësirat pas mbrojtjes kundërshtare.
Ramos ndikoi në të tre golat
Lëvizjet dhe puna e Ramosit ishin të rëndësishme në fitoren e skuadrës.
Në aksionin e golit të parë, portugezi tërhoqi një mbrojtës drejt zonës së mesfushës sulmuese, duke krijuar hapësirë për Christian Pulisic, i cili mori pasimin e Strahinja Pavlovicit.
Në golin e dytë, Ramos bashkëpunoi me Adrien Rabiot dhe dha një asistim pa e parë destinacionin e pasimit, ndërsa në golin e tretë rikuperoi topin në mesfushë, duke i hapur rrugën aksionit individual të Diego Moreiras.
Ramos, i cili deri tani ka shënuar vetëm një gol, ndaj Venezias, vazhdoi të punojë pa pushim. Ai përshkoi 11.6 kilometra gjatë ndeshjes, rreth dy kilometra më shumë se në ndeshjen e mëparshme ndaj Lazios.
Megjithatë, fakti që sulmuesi, i cili kushtoi rreth 70 milionë euro plus bonuse, ka luajtur katër ndeshje radhazi pa shënuar apo pa regjistruar një goditje në portë, mbetet një statistikë domethënëse.
Nga ana tjetër, Ramos vazhdon të ndikojë në krijimin e golave dhe të jetë aktiv në fazën ofensive. Për momentin, Amorim duket se vlerëson pikërisht këtë kontribut, duke pritur që golat e sulmuesit portugez të vijnë me kalimin e kohës. /ORAinfo/