Muhabetet e analistëve në TV-të e Kosovës

09:12 | 29 Shtator 2019

Këta që, në TV-të e Kosovës: në T7, në TV Dukagjini, në Klan Kosova, etj., po prezantohen si ANALISTË, do të ishte mirë që:

-Muhabetet e tyre për dëshirat, për frikën personale e për animet e tyre për partitë dhe kandidatët për kryeministër; pastaj

-Lojën e tyre me “sondazhet” për kandidatin e “mirë” apo të “keq” për kryeministër; për listën zgjedhore të “mirë” apo të “keqe”, për programin zgjedhor të “mirë” apo të “keq” të partive, etj.; dhe

-“fallin” e tyre për rezultatin e Zgjedhjeve 2019; në këto TV, –

t’i zëvendësonin me ANALIZA TË MIRËFILLTA, në përputhje me nivelin prezantues e me thirrjen e tyre – ANALISTË dhe të bazuara në – Metodologjinë bashkëkohore të Hulumtimit empirik-shkencor, në fushën e shoqërisë;

Muhabetet, lojërat dhe “fallin” e tyre në debatet televizive për Zgjedhjet 2019, bashkë me hingirizjet dhe zgërdhirjet e tyre, si në kor, (zgjedhjet, as debatet për zgjedhje, s’janë hajgare), këta që, në TV-të e Kosovës po prezantohen si ANALISTË, do të ishte mirë – t’i linin pas debateve televizive, për ndonjë vend tjetër, të përshtatshëm për zbavitje e për ta kaluar kot kohën e lirë të tyre.

Këta që, në TV-të e Kosovës po prezantohen si ANALISTË, do të ishte mirë që pjesëmarrjen e tyre në debatet televizive për Zgjedhjet 2019, madje jo vetëm për zgjedhje, ta kufizonin vetëm në debatet, kur flitet për temën apo fushën, ku ata ndjehen më kompetentë. Pra, do të duhej të heqnin dorë nga pjesëmarrja e tyre në debatet televizive, për të gjitha temat apo fushat, për të cilat iu mungojnë kompetenca dhe kapacitetet e duhura.

Duke marrë pjesë në debate për të gjitha temat apo fushat, si: për kandidatët për kryeministër, për listat zgjedhore, për programet e për prioritetet zgjedhore të partive; pastaj për arsimin, shëndetësinë, zhvillimin ekonomik, kulturën, bujqësinë, sportin; për politikat e brendshme, për politikën e jashtme, për diplomacinë, për marrëdhënet me BE-në e me SHBA-në, për integrimet euro-atlantike, për bisedimet me Serbinë, e për shumë tema të tjera – këta që, në TV-të e Kosovës po prezantohen si ANALISTË, thënë shkurt e shqip, në vend të ANALISTËVE TË MIRËFILLTË, po dalin ANALISTË QESHARAKË dhe kjo s’iu bën mirë as TV-ve të Kosovës, as shikuesve të tyre.

Komento: