
Nëntë deputetë nuk janë betuar, e kjo për arsye se do të vazhdojnë punën si ministra.
Sipas Kushtetutës së Kosovës në momentin kur betohen deputetët, nuk mund të ushtrojnë funksione të tjera ekzekutive.
Në Ministrinë e Drejtësisë puna po vazhdon si çdo ditë tjetër.
Abelard Tahiri po kryen edhe këtë të premte detyrën e tij prej ministri në largim.
Ministri i PDK-së, vazhdon ta mbaj këtë pozitë edhe pse është zgjedhur deputet.
Tahiri, nuk u paraqit për t’u betuar si deputet.
Në seancën për konstituimin e kuvendit, karriget e zbrazëta mbetën shkaku i Endrit Shalës, Abelard Tahirit, Pal Lekajt, Uran Ismailit e Kujtim Gashit.
Prezent ishte vetëm ministri në detyrë Bedri Hamza.
Në seancë nuk u pa as Fatmir Limaj, Behgjet Pacolli e Enver Hoxhaj.
Televizioni T7 ka tentuar gjatë së hënës të marrë një qëndrim nga të gjithë ministrat në largim. Por me gjasë të njëjtit nuk deshën të paraqiteshin as para kamerës.
Megjithatë ministri i insfratrukturës në largim, Pal Lekaj u pa aktiv në Facebook, madje duke kritikuar kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin se po fshihet.
Edhe ministrat e tjerë s’iu përgjigjen thirrjeve të televizionit.
Por me gjasë mungesa e tyre në seancë është e arsyeshme. Ata po ruajnë pozitën e tyre prej ministri.
E në rast se ministrat në largim betohen si deputetë të kësaj legjislature, kompetencat e tyre ekzekutive do të përfundojnë.
Ndërkohë në seancën e së premtes janë betuar 111 deputetë.