Këshilltari i Veselit thotë se koalicioni VV-LDK do të ndodh

18:18 | 28 Dhjetor 2019

Kosova është në prtije të krijimit të institucioneve të reja.

Këshilltari i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi ka thënë se koalicioni VV -LDK duhet të ndodhë sepse është premtim për qytetarët.

Në një shkrim në Facebook, Bytyçi thotë se partitë në fjalë duhet ta perfundojnë pazarin mes vete dhe të fillojnë punën ne realizimin e atyre qe kanë premtuar.

Shkrimi i plotë:

Koalicioni i promovuar për më shumë se dy vjet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike duhet të ndodhë. Është premtim publik, mbi të cilin i kanë fituar votat e qytetarëve. Është veprim i moralshëm, ndonëse sot në politikën tonë morali mungon. Ata duhet të tregojnë se çfarë mund të bëjnë. Fjalët e mëdha që i kanë dhënë, duhet t’i dëshmojnë me vepra.

Partia Demokratike e Kosovës do të jetë Opozitë. Nuk ka opsion tjetër. Lideri i Opozitës dhe Kryetari i PDK-së e ka bërë të qartë, edhe para zgjedhjeve, se në rast se PDK nuk del e para, qoftë edhe vetëm për një votë, do të shkojë në Opozitë. Këtë premtim, ai e mbajti vetëm dy orë pas përfundimit të zgjedhjeve.

Kadri Veseli po e lufton logjikën manipuluese që është instaluar në këto vitet e fundit në Kosovë, pikërisht nga LVV dhe LDK, si dhe disa të tjerë. Që me çdo kusht e duan pushtetin, në saje të armiqësimit dhe manipulimit të qytetareve.

LVV dhe LDK le t’i lënë anash lojërat dhe manipulimet, le të takohen sa më shpejtë dhe le t’i kryejnë pazaret.

E kanë nisur keq. Por, tashmë duhet të bëjnë diçka. Së paku, diçka të mirë për vendin.

Shpresoj që këto dy parti më kurrë të mos premtojnë diçka për të cilën e dinë se nuk do ta bëjnë, si në rastin e tashëm të formimit të Qeverisë. Dhe të mos anatemojnë, shpifin dhe linçojnë shqiptarët, për shkaqe politike e ideologjike. Në politikë jemi për koncept, ideologji e platformë, e jo për individë.

Thirrja është më se e qartë: le ta kryejnë pazarin “merr e jep”.

Ndërkohe, PDK i ka do punë më të mençura sesa luftën neveritëse për pushtet që e kanë filluar LVV dhe LDK.

PDK dhe Kadri Veseli tashmë janë angazhuar në ndërtimin e një alternative politike që nuk bazohet mbi urrejtjen, shpifjen dhe linçimin. Një alternativë që ka në thelb të saj mirëqenien e qytetarit, të mirën e shtetit të Kosovës dhe pa dyshim ëndrrën e çdo qytetari për një jetë të dinjitetshme.

Kosovën nuk do ta forcojnë gënjeshtrat, e besa as fjalët e mira, por politikat e matura kombëtare, me partnerë të qartë ndërkombëtarë.

Manipulimet dhe gënjeshtrat shumë shpejtë do të zëvendësohen me politika publike reale, për të mirën e kombit, atdheut, shtetit e qytetarit. Kjo është e pandalshme.

Komento: