
Ramush Haradinaj thotë se polici që privoi nga jeta qytetarin në Gjilan nuk ka qenë në ekipin e tij të mbrojtjes së afërt.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se zyrtari policor që privoi nga jeta qytetarin në Gjilan, Vllaznim Hamdiu, nuk ka qenë asnjëherë pjesë e ekipës së tij të mbrojtjes së afërt.
Haradinaj pretendon se qëndrimet e tij politike kanë bërë që të vijnë shpifje të tilla për emrin e tij.
“Qëndrimi i palëkundur kundër ndarjes së Kosovës dhe kundër pazareve të errëta të këmbimit të territoreve, po vazhdon t’i pengoj shpifësve dhe propaganduesve, që në emër të informimit, qëllimshëm shpërndajnë dezinformata dhe të pavërteta, duke etiketuar emrin tim”, ka shtuar ai.
Ky është postimi i plotë i tij:
Qëndrimi i palëkundur kundër ndarjes së Kosovës dhe kundër pazareve të errëta të këmbimit të territoreve, po vazhdon t’i pengoj shpifësve dhe propaganduesve, që në emër të informimit, qëllimshëm shpërndajnë dezinformata dhe të pavërteta, duke etiketuar emrin tim.
Përkundër që ne e dënuam privimin nga jeta e një qytetari nga ana e një polici, bëmë thirrje për organet e rendit që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore dhe sqaruam që polici në fjalë, asnjëherë nuk ishte pjesë e ekipit tim të mbrojtjes së afërtë, disa mediume, të shtyrë nga propaganda e politikës së ndarjes, vazhdojnë ta etiketojnë dorasin si person të afërtë me emrin tim.
As kjo përpjekje dhe as njollosjet e mëhershme dhe as të tjerat që mund të vijnë, nuk do të na ndalin, që në çfarëdo detyre institucionale, ta mbrojmë Kosovën nga copëtimi dhe nga pazaret e një grusht profiterësh.
Kosova do të jetë ajo e 17 Shkurtit, për të cilën dhanë jetë luftëtarët tanë, sakrifikuan nënat dhe familjet tona, intelektualët tanë dhe çdo shqiptarë! RH /ORAinfo/