
Sot, një delegacion nga Kosova është takuar me emisarin e Trumpit, Richard Grenell.
Një delegacion i Lidhjes Demokratike të Kosovës i kryesuar nga nënkryetari Agim Veliu kanë qëndruar për një vizitë zyrtare në Berlin ku janë takuar me Përfaqësuesin Special të Presidentit të SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, shkruan Express.
Në një komunikatë të lëshuar nga partia e Isa Mustafës është njoftuar që Grenell ka kërkuar heqjen e taksës me qëllim të rinisjes së dialogut. Ndërkohë LDK’ja ka njoftuar ambasadorin amerikan rreth zhvillimeve për koalicion me LVV’në.
Për takimin në një postim në profilin e tij zyrtar ka shkruar edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, që ka qenë bashkë me Veliun në Berlin.
Hyseni ka thënë se takimi me Grenellin ka qenë shumë i mirë duke potencuar gjithashtu se në takim ka pasur mirëkuptim, por nuk ka specifikuar se për çfarë çështjesh.
“Një takim i mirë dhe shumë mirëkuptues në Berlin me ambasadorin amerikan Richard Grenell!”, ka shkruar Hyseni.
Për takim mirëkuptues ka shkruar edhe Agim Veliu, pa hyrë në detaje, ndërkohë që ka shpërndarë komunikatën e LDK’së që flet për përmbajtjen e takimit.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje kanë negociuar për javë të tëra për formimin e Qeverisë por pa sukses. LDK ka insistuar që pjesë të hises ta ketë edhe postin e presidentit, sikurse edhe gjysmën e ministrive.
Pas bllokadës, VV ka nominuar Glauk Konjufcën për kryetar parlamenti i cili edhe u votua nga deputetët duke e zënë kështu një post që mendohej t’i ndahej LDK’së. Pas kësaj gjithçka është bllokuar. Të hënën pritet takimi i Thaçit me Kurtin për çështjen e mandatimit, takim ky në të cilin kreu i VV’së sipas të gjitha gjasave do të shkojë pa marrëveshje me Isa Mustafën.