Pse po zvarritet formimi i komisioneve parlamentare?

09:00 | 17 Janar 2020

Formimi i komisioneve parlamentare po vazhdon të zvarritet.

Ndonëse po bëhet një muaj prejse është formuar Kuvendi i Kosovës kryesia ende nuk ka thirrur asnjë mbledhje, rrjedhimisht nuk është mbajtur asnjë seancë e as nuk ka nisur formimi i komisioneve parlamentare. Gjersa Kryesia e Kuvendit nuk ka folur rreth kësaj çështjeje, njohësit e rrethanave politike kanë thënë se formimi i komisioneve është çështje e cila duhet të përmbyllet urgjentisht, shkruan gazeta “Zëri”.

Po bëhet gati një muaj prejse Kuvendi është formuar dhe është funksional, mirëpo akoma nuk janë formuar komisionet parlamentare. Sipas Nenit 63, pika 2 e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës pas formimit Kryesia e Kuvendit duhet të kërkojë nga secili grup parlamentar t’i propozojë emrat për kryetarë dhe për anëtarë të komisioneve.

“Kryesia e Kuvendit kërkon nga secili grup parlamentar, i përfaqësuar në Kuvend, t’i propozojë kryetarët, zëvendëskryetarët dhe anëtarët e komisioneve”, thuhet në këtë dokument. Gazeta ka tentuar të marrë një përgjigje nga Kryesia e Kuvendit lidhur me atë se kur do të nisë formimi i komisioneve parlamentare, por një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur. Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se këto ditë s’mund të flasin për këtë çështje. “Do të jetë vështirë të përgjigjemi në këto pyetje këto ditë”, thuhet në përgjigjen e zyrës për medie nga LVV-ja.

Komento: