
Hashim Thaçi propozohet të dëshmojë në rastin “Veteranët”.
Presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Isa Mustafa janë propozuar që të jenë dëshmitarë në procesin gjyqësor të “Veteranëve”.
Avokati i të akuzuarit Fadil Shurdhaj, Skender Musa ka thënë se Thaçi do të ftohet si ish drejtor i përgjithshëm i UCK-së, raporton KTV.
“Arsyeja pse e kemi propozuar është se ai ka qenë personi i cili ka negociuar me transformimin e UÇK-së në TMK dhe ne mendojmë se i ka pas listat e ushtarëve të UÇK-së. Arsyeja e dytë është se ai ka qenë personi i i cili ka arrit marrëveshje që të futen në listat e ushtarëve të UÇK-së edhe pjesëtarë të Ministrisë së Mbrojtjes. Ne besojmë se ka pas lisa të ushtarëve të UÇK-së të cilët kanë mbet në strukturë të TMK-së dhe pjesa tjetër që ka kaluar në civil. Mendojmë që këta persona të propozuar do të ndihmojnë në ndriçimin e kësaj çështje” ka thënë Musa.
18 dëshmitarë janë propozuar nga ministri i Mbrojtjes Rrrustem Berisha.
Këtë e ka bërë të ditur avokati i Berishës, Artan Qerkini i cili ka thënë se në mesin e dëshmitarëve janë edhe ish ministrat e mbrojtjes dhe zinxhiri komandues i brigadës 138 që e kishte udhëhequr Rrustem Berisha.
Qerkini më tutje përmes një parashtrese të dërguar Gjykatës ka kërkuar që të shpallet të papranueshme audioincizimi i siguruar nga prokuroria nga dëshmitari Bujar Shala me arsyetimi se audioincizimi ka qenë i paautorizuar.
“Është e vërtetuar përtej çdo dyshimi se anëtarët e komisionit qeveritar nuk kanë qenë përgjegjës për verifikimin e të gjithë veteranëve. Me dëgjimin e dëshmitarëve është vërtetuar se anëtarët kanë qenë përgjegjës vetëm për atë zonë ku kanë qenë komandant”, ka thënë Qerkini.
Sipas tij është imponuar nevoja që në gjykatë të dëshmojnë zinxhirët komandues. Ndërsa Qerkini ka arsyetuar edhe parashtresën për dëshmitarët nga ish-ministria e mbrojtjes.
Sipas tij ata dëshmitarë kanë nënshkruar aplikimet e atyre veteranëve si pjesë e ish-ministrisë se Mbrojtjes e që Prokuroria Speciale në aktakuzë konsideron që nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore.
I akuzuari Sadik Halitjaha ka propozuar 4 dëshmitarë, raporton Koha Ditore
Sipas tij këta dëshmitarë kanë qenë këta anëtarë edhe kanë qenë pjesë e procesit të verifikimit por edhe kanë pasur përgjegjësi komanduese në UÇK-së.
I akuzuari Shkumbin Demalijaj që nuk ka propozuar dëshmitarë ka thënë se edhe ai mund të ofron dëshmitarë por se secila zonë ka funksionuar njëjtë dhe se dëshmitarët e secilës zonë do të sqaronin çështjen e njëjtë para trupit gjykues. Megjithatë Demalijaj ka rezervuar të drejtën që pas administrimit të provave të fton dëshmitarë nëse e sheh të arsyeshme.
Edhe i akuzuari, Shukri Buja ka thënë se do të bëjë parashtresë për të paraqitur dëshmitarë.
“Do t’i ftoj kryeministrat Hashim Thaçin e Isa Mustafen… edhe ish-ministrin Nenad Rashiq”, ka deklaruar Buja ndërsa ka thënë se një kërkesë te tillë do ta dorëzojë me shkrim.