Për faj të Qeverisë Haradinaj, Kosova drejt humbjes së 2.4 milionë eurove të IPA-s

08:37 | 07 Shkurt 2020

Kosova drejt humbjes së 2.4 milionë eurove të IPA’s, për shkak të Qeverisë Haradinaj.

Fonde nga IPA’s është kushtëzuar nga BE’ja dhe janë të ndërlidhura me marrëveshjen financiare mes BE’së e Kosovës, afati i nënshkrimit të koncept dokumentit për reformat e pajtuara në administratën publike do të kishin efekt afatgjatë me të hyra buxhetore qindra milionëshe.

Në sirtarët e Qeverisë është duke pritur një draft-dokument i cili, nëse nuk miratohet shpejt, në një afat të shkurtër do t’ia humbë Kosovës 2.4 milionë euro të fondeve të IPA-s, e në atë afatgjatë qindra milionë të hyra buxhetore. Pa ndonjë arsye, Qeveria e Ramush Haradinajt nuk e ka votuar atë gjatë 2019-s.

Është ky Koncept-dokumenti për lehtësimin e barrës administrative. Me të kërkohet të listohen ndryshime në një numër ligjesh, e nëpërmjet të cilave bizneset dhe qytetarët do të çliroheshin nga një varg procedurash burokratike që aplikohen me rastin e kërkimit të lëshimit të certifikatave, lejeve dhe licencave nga administrata publike. Procedurat e tashme Bashkimi Evropian (BE) i ka parë si barrë administrative. Prandaj ka kushtëzuar një asistencë financiare me miratimin e Koncept-dokumentit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Zyra e BE-së në Kosovë e ka paralajmëruar këtë në një përgjigje dhënë gazetës.

“Miratimi i Koncept-dokumentit për zvogëlimin e barrës administrative nga Qeveria është një nga objektivat të cilat ishin planifikuar të arriheshin para fundit të dhjetorit 2019”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së. “Nëse në kohën e vlerësimit objektiva nuk është arritur, me siguri kjo do të thotë se fondet e ndërlidhura me objektiven nuk do të ndahen”.

Sipas Zyrës së BE’së Koncept-Dokumenti do të shikojë se si aktivitetet e propozuara do të kenë ndikim në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe të sektorit publik.

Komento: