
Shumë kandidatë për kreun e Podujevës.
Gjatë ditës së djeshme është caktuar data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që do të mbahen në komunën e Podujevës, por partitë politike ende nuk i kanë publikuar zyrtarisht emrat e kandidatëve, të cilët do t’i përfaqësojnë në garën e 15 marsit. Sidoqoftë, ditëve të fundit në opinion janë përmendur një sërë emrash si të mundshëm për të qenë kandidatë të subjekteve politike në këto zgjedhje, shkruan sot gazeta “Zeri”.
Pas dorëheqjes së nënkryetarit të LDK-së Agim Veliut nga pozita e kryetarit të Podujevës, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë, të cilat do të mbahen më 15 mars të këtij viti. Si rrjedhojë e kësaj partitë politike kanë nisur të përgatiten për procesin e ri zgjedhor në Podujevë.
Ato madje kanë paralajmëruar se shumë shpejt do të dalin me emrat zyrtarë të kandidatëve me të cilët pretendojnë ta fitojnë komunën, që deri para pak ditësh e udhëhiqteAgim Veliu, i cili tashmë është zgjedhur ministër i Punëve të Brendshme.
Ndonëse subjektet politike ende nuk i kanë zyrtarizuar kandidaturat, në medie tashmë janë lakuar emrat e disa personave, të cilët mund të jenë në garë për të parin e Podujevës.