
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në Gjilan.
Gjykata Themelore në Gjilan e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore dhe ia caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit me inicialet M. H.
Sipas gjykatës, gjatë ditës së djeshme (10 prill, 2020) personi në fjalë me automjetin e tij ‘’Opel Corsa’’, në rrugën “Halim Orana” në Gjilan, ka bërë një kthim të pasigurt në rrugën dytësore, ku në atë moment motoçiklisti D. H. godet veturën e tij, i cili merr lëndime të rënda dhe nuk arrin të mbijetojë edhe përkundër faktit që iu është dhënë ndihma mjekësore në Emergjencën e Spitalit në Gjilan, transmeton Klan Kosova.
“Me këto veprime i pandehuri M. H., dyshohet të ketë kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik nga neni 370 paragrafi 5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që po të lihet në liri mund të ndikoj tek dëshmitarët e rastit”.
“Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit”.