Myftiu Tërnava: Të respektohen masat për parandalimin e koronavirusit

14:42 | 17 Prill 2020

Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava ka transmetuar mesazhin e xhumasë për besimtarët musliman në këtë kohë pandemi ku xhumaja nuk po falet nëpër xhami, për të parandaluar përhapjen e Coronavirusit.

Tërnava ka bërë thirrje që të respektohen thirrjet e institucioneve për parandalimin e peërhapjes së pandemisë dhe ka ftuar që të ndihmohen qytetarët që janë në vështërsi financiare sidomos në këto ditë.

Duke qenë se është rritur numri i të prekurve nga sëmundja COVID-19, Myftiu iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve për bashkëpunim që të ruhet shëndeti i të gjithëve.

Ja postimi i plotë i ashkësisë Islame të Kosovës:

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava në mesazhin e së premtes u fokusua në dy çështje aktuale: Ritheksoi nevojën dhe domosdoshmërinë e respektimit të masave për parandalimin e virusit si dhe shtrirjen e solidaritetit mes njerëzve sidomos në këtë situatë pandemie e në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit.

Duke qenë se është rritur numri i të prekurve nga sëmundja COVID-19, Myftiu iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve për bashkëpunim që të ruhet shëndeti i të gjithëve.

Ai tutje theksoi se pandemia veç shëndetit ka prekur ekonomitë tona familjare dhe në këtë mënyrë jemi të detyruar të kujdesemi e ti qëndrojmë pranë atyre që kanë nevojë.

“Ne, edhe para Pandemisë kemi pasuar një kategori të njerëzve tanë skamnorë në nevoja, por këtë muaj fatkeqësisht kësaj kategorie i janë shtuar edhe një masë e konsiderueshme e familjeve që deri tash kanë punuar dhe kanë pasur një bazë solide të të hyrave me çka kanë organizuar furnizimin e familjarëve.

Mirëpo, në të njëjtën kohë jemi të obliguar që të kujdesemi për ata që kanë nevojë që në këtë kohë nuk mund të sigurojnë të hyrat e mjaftueshme në ekonomitë e tyre familjare.

Për ta zbutur krizën në të cilën gjendet një kategori e shoqërisë sonë jemi të obliguar që të jemi solidarë, të jemi bamirës, të jemi human, të jemi pranë atyre që kanë nevojë për mbështetjen tone”, tha Myftiu.

Solidariteti, shtoi myftiu në fenë tonë është vlerë hyjnore e cila duhet kultivuar në të gjitha rrafshet dhe me të gjithë njerëzit. Kërkohet nga ne që të solidarizohemi me të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmën, mbështetjen e përkrahjen tonë.

“ Ndihma, kujdesi e mbështetja për ata që kanë nevojë përveç tjerash është edhe shenjë e besimit të kalitur në Zotin. Për këtë Allahu xh.sh. në Kuran thotë: Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqa, e falin namazin dhe japin zeqatin, respektojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do t’i mëshirojë Allahu. All-llahu është ngadhënjyes, i urtë. (tevbe 71)”, u shpreh ai.

E duke qenë se na ndanë vetëm një javë deri tek muaji i madhërishëm i Ramazanit, myftiu Tërnava tha se kërkohet nga ne të kontribuojmë të gjithë me mundësitë që kemi ti dalim në ndihmë atyre që sot janë në vështirësi momentale ekonomike ta presin pa një sfidë më pak, të paktën mos të kenë hallin për gjërat elementare.

“Ne si popull, solidaritetin e bamirësinë e kemi të njohur, e të kultivuar nderë shekuj e ndër breza saqë është kthyer në virtyt, dhe fal këtij virtyti kemi arritur që të përballemi dhe me sukses ti kalojmë shumë vështirësi gjatë historisë sonë. Kemi ditur që të jemi pranë njëri – tjetrit, dhe jam më se i bindur që këtë do ta bëjmë në formën më të mirë edhe tani gjatë kësaj krize.

Janë për tu përshëndetur nismat e institucioneve tona për ti ndihmuar të gjithë ata që u prekën nga kjo situatë, po ashtu duhet përshëndetur edhe OJQ e fondacione të ndryshme që po kontribuojnë në tejkalimin e kësaj situate, tha myftiu.

Më tej myftiu Tërnava i ftoi të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që ti bashkëngjiten aksionit “Sofra e Ramazanit” e cila është organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, përmes Shoqatës bamirëse “Bereqeti” për ti ndihmuar familjet që kanë nevojë .

“Andaj, e gjejë të udhës që edhe një herë t’ju ftoj të gjithë pa përjashtim që të kontribuoni me mundësitë që keni që aksioni ynë të jetë sa më masiv, sa më gjithëpërfshirës me të vetmin qëllim, që të begatojmë Sofrën e Ramazanit për ata që janë në nevojë.

Falënderoj, të gjithë ata që deri më tani iu kanë përgjigjur kësaj nisme, inkurajoj të tjerët që të mbështesin e të kontribuojnë për këtë nismë të mbarë e të hajrit.

E kemi obligim të ndihmojmë kur kemi mundësi, me këtë rast ftojë edhe njëherë besimtarët tanë që në këtë kohë të vështirë të jenë solidarë, ftoj po ashtu të gjithë ata që Zoti u ka dhënë Bereqet që të ndihmojnë aksionin tone.

O Zot i Plotfuqishëm, Ruaje popullin e vendin tonë, O Zot na i prano veprat tona të mira, na bën ne bamirës, e na përmirëso gjendjen tonë, dhe Lehtësoji ata që janë në vështirësi! “, përfundoi Myftiu.

Komento: