
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i është drejtuar sot me një letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Kurti nëpërmjet letrës ka thënë që në asnjë rast nuk e ka refuzuar kërkesën dhe as propozimin e mandatarit.
“Sot, më 22.04.2020, kam pranuar një letër nga ju, përmes të cilës konstatoni jashtë kompetencave tuaja kushtetuese si President, se unë nuk e paskam shfrytëzuar të drejtën për propozimin e kandidatit të ri për të formuar Qeverinë”, thotë Kurti.
“Bazuar në rolin dhe funksionin si President, ju nuk keni të drejtë e as autorizim kushtetues për të konstatuar se kemi refuzuar propozimin e kandidatit për kryeministër kur nuk e kemi bërë këtë; ju nuk e keni në mandat e kompetencë që të përcaktoni përtej Kushtetutës se si e çfarë do të jetë Qeveria, siç keni bërë këtyre ditëve në deklarimet publike; dhe, me keqardhje konstatojmë se ende nuk na jeni përgjigjur se në bazë të cilës pikë të nenit 95 po veproni dhe po na drejtoheni” thuhet mes tjerash në letrën e Kurtit.
Kjo është letra e plotë:
I nderuar President,
Përkundër që në asnjë rast nuk kemi refuzuar as kërkesën dhe as propozimin e mandatarit, sot, më 22.04.2020, kam pranuar një letër nga ju, përmes të cilës konstatoni jashtë kompetencave tuaja kushtetuese si President, se unë nuk e paskam shfrytëzuar të drejtën për propozimin e kandidatit të ri për të formuar Qeverinë.
Kushtetuta e Republikës nuk parasheh një kompetencë të tillë të Presidentit për të vlerësuar apo konstatuar shfrytëzimin apo mosshfrytëzimin e të drejtës për të propozuar mandatarin. Përveç kësaj, Kushtetuta e as Aktgjykimi Nr. 103/14 nuk kanë përcaktuar as afatin për një gjë të tillë. Kushtetuta çfarë parasheh në këtë rast është caktimi i mandatarit vetëm pas propozimit nga partia ose koalicioni që ka fituar shumicën absolute apo relative, siç përcaktohet edhe në pikën 84 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Andaj, bazuar në rolin dhe funksionin si President, ju nuk keni të drejtë e as autorizim kushtetues për të konstatuar se kemi refuzuar propozimin e kandidatit për kryeministër kur nuk e kemi bërë këtë; ju nuk e keni në mandat e kompetencë që të përcaktoni përtej Kushtetutës se si e çfarë do të jetë Qeveria, siç keni bërë këtyre ditëve në deklarimet publike; dhe, me keqardhje konstatojmë se ende nuk na jeni përgjigjur se në bazë të cilës pikë të nenit 95 po veproni dhe po na drejtoheni.
Me respekt,
Albin Kurti