Del nga karantina Zabeli i Ulët, nuk është më vatër e përhapjes së koronavirust

23:09 | 25 Prill 2020

Fshati Zabel i Ulët del nga karantina.

Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se Ministria e Shëndetësisë e ka shfuqizuar vendimin që Zabeli i Ulët i Drenasit të shpallet vatër e përhapjes së koronavirusit.

“Tani edhe zyrtarisht, Ministri i Shëndetësisë z. Vitia ka shfuqizuar vendimin për fshatin Zabel të Ulët që ishte shpallur ‘vatër e përhapjes së infeksionit’ pasi pacientja ka rezultuar me test negativ. I kërkojmë falje dy familjeve që ishin në karantinë, banorëve të fshatit Zabel dhe gjithë qytetarëve për shqetësimin”, ka shkruar në Facebook Lladrovci.

Lladrovci megjithatë ka bërë thirrje të evitohen daljet e panevojshme.

“Në bashkëpunim me ju qytetarë dhe gjithë akterët e tjerë relevant, deri tani kemi arritur të menaxhojmë mjaftë mirë situatën e emergjencës shëndetësore të krijuar nga virusi COVID-19, mirëpo, kjo nuk do të thotë se jemi imunë ndaj pandemisë. Të nderuar qytetarë, siç keni treguar deri tani kulturë të lartë qytetare në zbatimin e masave preventive, ju ftoj që edhe me tutje të respektoni rekomandimet e IKShP-së. Evitoni daljet e panevojshme, kujdeseni për shëndetin tuaj, të familjes dhe shëndetin publik”, ka përfunduar ai.

Kujtojmë se vetëm pak ditë pasi kishte rezultuar pozitive në testin për koronavirus, gruaja nga Zabeli i Ulët në Drenas ka rezultuar negative në testin e ri.

Komento: