
Infektologu Valbon Krasniqi tregon nëse do të jetë ministër i Shëndetësisë në Qeverinë Hoti.
Infektologu Valbon Krasniqi është përmendur si një ndër emrat e mundshëm për të drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në media gjatë ditës se sotme është raportuar se LDK-ja ka propozuar që ministër i Shëndetësisë të jetë infektologu Valbon Krasniqi.
Por, një gjë të tillë e ka mohuar vetë Krasniqi në një përgjigje për lajmi.
Krasniqi ka thënë se deri me tani nuk ka marrë një ofertë të tillë dhe se për këtë kishte dëgjuar në media.
“Jo, edhe unë e kam parë në media, madje kam qenë në punë duke u marrë me pacient me Covid-19 dhe në lajme e dëgjova. Për momentin mua nuk më ka kontaktuar askush dhe nuk e di se nga ka dal ky lajm. Por, mua personalisht nuk me ka kontaktuar askush për këtë punë”, ka thënë Krasniqi për lajmi.net.
Ndryshe, pasi presidenti i vendit, Hashim Thaçi i dha mandatin Lidhjes Demokratike të Kosovës, kjo parti është duke negociuar edhe me partitë e tjera parlamentare si AAK-në, Nismë, si dhe partitë politike të komuniteteve pakicë për formimin e Qeverisë së re.
Pjesë e kësaj qeverie, kanë deklaruar se nuk do të jenë PDK-ja dhe AKR-ja.
Ndryshe, ajo çka dihet deri me tani është se LDK do t’i ketë shtatë ministri, AAK-ja do të ketë katër ministri, Nisma dy ministri dhe po aq ministri partitë tjera politike joshumicë.