Takohen Mustafa – Haradinaj, pritet finalizmi i marrëveshjes për bashkëqeverisje

11:57 | 29 Prill 2020

Është paralajmëruar se sot do të finalizohet marrëveshja e koalicionit në mes të partive që po synojnë krijimin e Qeverisë së re.

Për këtë, në ambientet e Kuvendit të Kosovës është duke u zhvilluar takim kokë më kokë në mes të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe atij të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Takimi ka për qëllim diskutimet finale para publikimit të marrëveshjes, e cila është afër sipas zyrtarëve të të dyja partive.

Ndërkohë, AAK-ja e Haradinajt ka paralajmëruar një mbledhje gjatë mesditës, ku do të konfirmohet përfundimisht qëndrimi i AAK-së për detajet e koalicionit.

LDK, në anën tjetër, pret që ta mbledh kryesinë për të votuar propozimet për ministra.

Ndryshe, zyrtarë të LDK-së kanë thënë se i kanë numrat për Qeverinë e re, ani pse po insistojnë në kthimin e deputetit Behgjet Pacolli, i cili akoma është në Tiranë dhe s’po lejohet të futet në Kosovë pa e përfunduar fazën e karantinimit.

Komento: