Thaçi njofton ambasadorët e QUINT-it për krijimin e qeverisë së re

17:43 | 30 Prill 2020

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar sot ambasadorët e QUINT-it të cilët i ka informuar lidhur me hapat e krijimit të qeverisë së re.

Takimi i Thaçit me QUINT-in vjen menjëherë pasi është bërë publike se ka mandatuar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të formuar qeverinë e re.

Lidhur me këtë vendim të Thaçit nuk është pajtuar Lëvizja Vetëvendosje që e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese vendimin për krijimin e qeverisë së re që ata e konsiderojnë si anti-kushtetuese.

Thaçi në takimin me ambasadorët tha se i ka infpormuar ata që Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës duhet të respektohen nga të gjithë.

“Pata një takim me Ambasadorët e QUINT-it për të diskutuar çështjet aktuale politike në Kosovë. I informova ata për hapat e krijimit të qeverisë së re në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet dhe theksova se të gjithë duhet të respektojnë rendin kushtetues të Kosovës.”, tha presidenti Thaçi.

Vlen të theksohet se shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi ka bërë të ditur se seanca për formimin e qeverisë së re do të mbahet më 2 maj, ditën e shtunë në ora 13:00.

Komento: