
VV’ja vazhdon t’i mbushë bordet me familjarë dhe zyrtarë të saj.
Vetëvendosje ka vazhduar të çojë familjarë të zyrtarë të saj nëpër borde të institucioneve. Një gjë të tillë e ka bërë edhe sot. Fatban Bunjaku është Zyrtar për Logjistikë dhe Informatikë në Vetëvendosje dhe ka qenë në vitin 2017 kandidat për asamblist në Komunën e Prishtinës.
Sot, Reporteri.net mëson se bashkëshortja e tij, Dafina Gezha është emëruar në Bordin Drejtues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Dafina Gezha është emëruar në këtë bord në emër të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës – IKSHPK. Ajo, me vendimin e Qeverisë do të ketë mandat 3 vjeçar.

Para një viti, vet Bunjaku mbante konferencë për media për të kritikuar punësimet partiake në borde publike.
Ish kandidati i VV-së për asamble në Komunën e Prishtinës, Fatban Bunjaku dhe sekretari i Qendrës së Prishtinës, Valdrin Ahmeti kishin paraqitur edhe me fotografi emrat e punësimeve, siç deklaronin, arbitrare dhe partiake në Telekomin e Kosovës.

Ndryshe, sot në Bordin Drejtues të AUV-it janë emëruar edhe Nysrete Doda nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Delvina Hana, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Arsim Qavdarbasha nga Ministria e Shëndetësisë – MSH, Selatin Kaçaniku nga Shoqata për mbrojtjen e Konsumatorëve – SHMK, Parim Bajrami nga Oda Ekonomike e Kosovës – OEK dhe Valdet Gjinovci nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë – AUV.
Edhe në ndërmarrjet tjera publik VV ka dërguar zyrtarë të saj apo të afërm me partinë.
Ndonëse kishte premtuar se do të veprojë ndryshe, ajo në këto 60 e më shumë ditë në qeverisje, megjithatë ka vepruar gati njëjtë si partitë e tjera.