
PSD ‘fut’ Qeverinë në karantinë.
Partia Socialdemokrate sot ka dalë me një aksion simbolik në ndërtesën e Qeverisë duke e ‘futur’ në karantinë.
Zgjim Hyseni nga PSD tha se duhet karantinuar udhëheqësit që e përdorën karantinën si mjet për të penguar punën e Kuvendit, njofton Klan Kosova.
“Përmes këtij aksioni simbolik e kemi futur Qeverinë në karantinë. Karantina që i ka shkaktuar shumë dëme këtij vendi, kështu që udhëheqësit duhet karantinuar. Njerëzit në karantinë nuk janë vendosur përmes kritereve, por ka pasë diskriminime”.
“Jemi këtu për të kërkuar përgjegjësi. Një hetim i pavarur dhe kredibil nuk është i mundur përderisa në detyrë janë Xhelal Sveçla dhe Arben Vitia. Ata e kanë bërë të qartë që në mes ligjit dhe shefit, e zgjedhin shefin. Vitia me paramendim e ka shkelur Kushtetutën sepse kjo ka qenë detyra e shefit. Sveçla, po ashtu ka bërë përndjekje politike përmes karantinës. Përkundër udhëzimeve të policisë ka marrë vendim për largimin e rrethojave”.
Po ashtu, Hyesni tha se duhet të ketë përgjegjësi institucionale për rastin tragjik të 26 vjeçarit, i cili ndërroi jetë të dielën në Qendrën e Studentëve.
“Derisa flitet për merita të gjitha ato i atribuohen ministrave Vitia dhe Sveçla. Por, kur flitet për përgjegjësi themi që s’ka pasë përgjegjësi. Ata janë udhëheqës politikë, përgjegjësia e tyre është politike”.