Patën kontakt me pacienten me koronavirus, 23 punonjës shëndetësorë të Anesteziologjisë në izolim

17:21 | 12 Maj 2020

23 punonjës shëndetësorë të Anesteziologjisë në izolim, pasi patën kontakt me pacienten me COVID-19.

23 punonjës shëndetësorë të Klinikës së Anesteziologjisë janë vetizoluar. Kjo pasi ata kishin pasur kontakt me pacienten e shtruar në Mjekimin Intensiv të QKUK’së e cila ka rezultuar pozitive në testimet për koronavirus.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka treguar se stafi mjekësor i Anesteziologjisë është vetizoluar me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

“Një paciente e shtruar në Mjekimin Intensiv të QKUK-së ka rezultuar ditën e diele pozitiv në SARS-COV-2. Me qëllim të parandalimit të përhapjes së infeksionit, ndërrimi i ditës së diele i Klinikës së Anesteziologjisë dhe ndërrimi i ditës së shtune, i kësaj klinike: 5 mjekë, 14 infermierë, 2 higjienistë dhe 2 bartës, janë futur në vetizolim, sipas rekomandimeve të IKSHPK-së”, ka thënë Hoti.

Hoti shtoi se punonjësit shëndetësorë do të testohen të enjten.

Ai po ashtu theksoi se shërbimi mjekësor në Klinikën e Mjekimit Intensiv do të vazhdojë.

Të njëjtëve, do t’u bëhen testet gjatë javës për SARS-COV-2, derisa pacientja, të dielën është shtruar për “Mjekim në Klinikën Infektive. Shërbimi mjekësor në Klinikën e Mjekimit Intensiv, vazhdon, pasi që menaxhmenti aty ka riorganizuar ekipiet e tjera me qëllim që shërbimi të mos mbetet pa personelin e nevojshëm për ofrim të shërbimeve mjekësore për pacientët”, deklaroi Hoti.

Komento: