
Testimi i 30 fëmijëve të çerdhes në Prishtinë, edukatorja që testohet sot e kishte burrin të infektuar.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka mbajtur sot konferencë ku ka folur për rastet e reja me COVID-19 në kryeqytet. Ka treguar se si ka ardhur deri te përhapja e virusit gjatë ditëve të fundit
Ahmeti tha se ka qenë e pritshme që pas lehtësimit të masave, të rritet numri i personave të prekur me koronavirus.
Megjithatë ai deklaroi se rastet e fundit në Prishtinë kanë lidhje vetëm me një person i cili ka pasur shumë kontakte.
“Këto 10 raste në Prishtinë kanë lidhje vetëm me një person, i cili ka pasur shumë kontakte. Ka ndodhur që punuar në një organizatë ku kanë dalë 4-5 persona pozitivë, pastaj e kemi rastin e dy fëmijëve të tij në dy çerdhe të ndryshme në Prishtinë, të cilat për shkak të kujdesit kemi vendosur t’i mbyllim dhe t’i dezinfektojmë. Nesër do të testohen fëmijët e atyre dy klasave për të parë a ka pasur ngjitje të virusit më tutje”, deklaroi Ahmeti.
Ahmeti tha se është duke u punuar në gjurmimin e kontakteve që personat e prekur mund të kenë pasur me të tjerët.
“Edukatoret janë duke u testuar, sot i kemi testuar mbi 100 persona në QMF nga klista të ndryshme të cilat besoj se deri nesër do t’i marrim rezultatet. Çerdhen “Xixëllonjat” e kemi mbyllur, për shkak se burri i edukatores ka rezultuar pozitiv para dy ditësh. Po e presim rezultatin e edukatores, nëse ajo del negative menjëherë nesër e hapim çerdhen “Xixëllonjat”, por edukatorja shkon në vetizolim për 14 ditë”, tha Ahmeti.
“Ata fëmijë që kanë qenë në ato grupe me ata dy fëmijë që kanë dalë pozitiv, nuk do të shkojnë në çerdhe. Ato klasë do të mbyllen për një periudhë dyjavore, derisa të kalojë vetizolimi, pa marrë parasysh a janë pozitiv apo negativ. Po ashtu edukatoret e këtyre klasave nuk do të shkojnë në punë”, tha Ahmeti.
I pari i Prishtinës deklaroi se nuk do të hezitojë t’i mbyllë çerdhet apo lokalet të cilat dyshohet se mund të jenë vatra të shpërndarjes së koronavirusit.
Ai deklaroi se rregullat e përcaktuara nga IKSHPK’ja nuk po respektohen sa duhet.
“Rregullat që janë përcaktu nga IKSHPK nuk janë duke u respektuar në masë të madhe, përfshirë edhe lokalet e gastronomisë nga të cilat kemi kërkuar që t’i respektojnë vendimet dhe rekomandimet, por edhe marrëveshjen që e kanë bërë me IKSHPK’në”, tha Ahmeti.
Ndërkaq ai ka përmendur edhe një prind i cili ka rezultuar pozitiv të premten, e që i ka dërguar fëmijët në çerdhe duke mos e ditur se është i prekur me virus.
“Nuk dua që ta stigmatizojmë një prind për të cilin ndoshta mendojmë se e ka ditur se ka testim, ndoshta nuk e ka ditur dhe i ka dërguar fëmijët në çerdhe, në fakt ai e ka marrë vesh të premten që është pozitiv, që do të thotë se nuk ka mundur ta dijë kur i ka dërguar fëmijët, megjithatë në momentin kur është testuar si i dyshimtë, ne mendojmë do duhej të kishim kujdes më shumë”, deklaroi Ahmeti.
Deri më tani në Prishtinë janë shënuar 106 raste pozitive me koronavirus, 2 nga ta kanë vdekur, ndërsa momentalisht janë 31 raste aktive.