
A do të japë dorëheqje Hashim Thaçi pas aktakuzës së Tribunalit Special.
Presidenti Thaçi në prill kishte thënë se nuk jep dorëheqje nëse e fton për intervistim Tribunali Special.
Megjithatë, ndaj tij tashmë është dorëzuar një aktakuzë për vepra të rënda kundër njerëzimit dhe vepra të rënda lufte.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaci dhe kreut të PDK’së, Kadri Veseli për vepra të rënda kundër njerëzimit dhe vepra të rënda lufte.
Thaçi i pyetur se a jep dorëheqje nëse thirret prej Tribunalit Specia, kishte mohuar diçka të tillë.
“Unë evlia nuk jam me e ditë nëse kam me u intervistu, nëse më vjen ftesa unë i përgjigjem pozitivisht edhe unë. As ndërmend se kom, pse me dhanë doreheqje…Do t’i përgjigjem pozitivisht, dorëheqje nuk jap”, ka thënë ai.
Zyra e Prokurorit Special ka njoftuar sot se ka dorëzuar aktakuzë ndaj Thacit dhe kreut të PDK’së, Kadri Veselit.
Prokuroria pretendon se janë kryer mbi 100 privime nga jeta.
“Më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të tjerë akuzohen për një sërë veprash të rënda kundër njerëzimit dhe vepra të rënda lufte ndër të cilat, privime nga jeta paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
Në Aktakuzë pretendohet se Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 veprave të paligjshme.
Veprat e rënda të paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”, thuhet në njoftim.
Kjo zyrë thotë se është detyruar ta bëjë publike aktakuzën, për shkak se, sipas saj, Thaci e Veseli i kanë bërë vazhdimisht presion dhe kanë tentuar që vazhdimisht ta pengojnë punën e tyre.