
Sot pritet të përfundojë intervistimi 4 ditor i presidentit Thaçi në Hagë.
Sot në ora 14:00 ka filluar intervistimi i presidentit Hashim Thaçi në Dhomat e Specializuara.
Në tri ditët e kaluara, presidenti i Kosovës, ish-Drejtori Politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është intervistuar për secilën ditë nga plot gjashtë orë.
Sot pritet të jetë dita e fundit e intervistimit të presidentit Thaçi në Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.
Ditën e parë të intervistimit të tij, presidenti i Kosovës u deklarua për media duke treguar se ka dëgjuar shkëmbime teknikalitetesh midis avokatit të tij dhe prokurorëve.
E në dy ditët e tjera të intervistimit, presidenti Thaçi nuk foli para mediave.
Në ndërkohë, po në ditën e parë, ish-Drejtori Politik i UÇK-së ka folur edhe para se të futet brenda Zyrës së Prokurorit të Specializuar ku ka ripërsëritur që askush nuk mund ta rishkruajë historinë.
Thaçi, në mesin e brohoritjeve të shqiptarëve që kishin dalë ta mbështesin, tha se ky është çmimi për Pavarësinë.
“Sot jam këtu për të respektuar atë për të cilën kam ëndërruar dhe luftuar – një Kosovë të pavarur bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri multi-etnike dhe sundim të ligjit. Jam gati të përballem me sfidën e radhës dhe t’ia dalë me sukses për djalin tim, familjen, njerëzit dhe vendin tim”.
“Askush nuk mund ta rishkruajë historinë. Ky është çmimi për lirinë”.
Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 qershor publikoi propozim-aktakuzën ndaj ish-Drejtorit Politik të UÇK-së Hashim Thaçi dhe ish-kreut të SHIK-ut Kadri Veseli.