
Fatmir Limaj ka thënë se Haxhi Shala u largua nga Nisma sepse donte të bëhej ministër.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj ka sqaruar se pse ish-deputeti i Nismës, Haxhi Shala, ka kaluar në radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Haxhi Shala ka pasë dëshirë të bëhet ministër. Ne kemi vendosur si parti që deputetët të mos bëhen ministra”, është shprehur Limaj.
Tutje, ai tha se Shala e ka kushtëzuar votën e tij me këtë pozitë.
“Shala e ka kushtëzuar votën e tij me pozitën e ministrit. Ndërkohë që unë nuk pranoj shantazhe të tilla”, shtoi Limaj.
Ndërkohë që kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Shala është larguar nga Nisma dhe ka qenë I lirë të shkojë ku të dojë.
“Haxhi Shala nuk është fëmijë. Nuk duhet të ketë ndjenja të lënduara. Shala ka dalë nga Nisma. Ka qenë i lirë të shkojë në secilën parti. Nuk e di pse kemi faj unë dhe Aleanca”, është shprehur Haradinaj.
Madje Haradinaj propozoi edhe një zgjidhje për shkak se Nisma aktualisht ka mbetur pa grup parlamentar.
“E di që tani kanë mbetur pa grup parlamentar. Por mund ta marrin një deputet nga një grup tjetër parlamentar. Në të kaluarën kanë marrë minoritete. Ne kemi një degë edhe në Malishevë si Aleancë”, tha Haradinaj në Klan Kosovë.
Gjithashtu, Haradinaj tha se Donika Kadaj-Bujupi është ende pjesë e AAK’së dhe ende nuk ka dhënë dorëheqje.
“Donika Kadaj është pjesë e AAK’së, nuk ka dhënë dorëheqje nga partia”, shtoi Haradinaj.