PDK: Buxheti për 2019 do të miratohet në këtë ditë

18:09 | 30 Janar 2019

Ligji për Pagat dhe ai për Buxhetin, ndonëse me presion të lartë, janë miratuar nga kominisionet është shprehur deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhevahire Izmaku.

“Sapo përfunduam punimet dhe votimet në komisionet funksionale dhe të përhershme që e përcjellin ligjin në Kuvend. Sot është votuar në Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Integrime, Komisionin për Buxhet dhe Financa, pra sot Ligji për Pagat dhe ai për Buxhet kanë kaluar. Ka qenë një punë jashtëzakonisht shumë intensive. Të gjitha organizatat buxhetore kanë kërkuar që të kenë koeficient të lartë, pra ishte një presion shumë i madh”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se Mahir Yagcilar e Bedri Hamza gjithashtu kanë monitoruar sot këtë proces dhe kanë dhënë një ndihmë të madhe. E edhe opozita ishte pjesë e këtij procesi, ka thënë ajo.

Sipas saj asgjë nuk është finale në Ligjin për Pagat pasi mund të ndryshojë më vonë për kategori të veçanta.
“Në mënyrë unanime është votuar edhe për tre ligje të tjera. Por koncentrimi më i madh ishte te Ligji për Pagat. Nuk është një pasqyrë dëshpëruese, kemi ardhur në një përfundim për mundësitë momentale që kemi, nuk dmth se janë vendime finale. Mund të bëhen ndryshime edhe më vonë për kategori të veçanta”, ka thënë ajo.

Izmaku thotë se çdo njeri ka të drejtë të kërkojë të ketë një jetë më të dinjitetshme, por duhet të shikohen mundësitë që janë.

“Shërbyesit civilë nuk janë trajtuar si mësimdhënësit dhe mjekët. Rreziku është potencial që ne me mbet pa infermierë. Mos të harrojmë faktin se po jetojmë në Kosovë, duke ditur rrethanat financiare që kemi, ne nuk mund të krahasohemi me Zvicër e SHBA. Ne kemi marrë një draft nga MSH-ja, dhe jemi ulë me ekspertë kur janë ndërlidhë amendamentet. Organizimi që ka ndodhur me koeficientët është marrë edhe në bazë të krahasimit me shtetet e nivelit të njëjtë”, ka thënë Izmaku.

Izmaku është optimiste që ka me pas reflektim nga popullata në përgjithësi.

Sipas saj rritja e pagave në kryeministri mund të ketë ndikuar në këto kërkesa nga mësimdhënësit dhe mjekët.
“Gabim e shoh rritjen e pagave në kryeministri. Sot nuk privilegjohet askush. Rritja e pagave me një vendim ka irrituar njerëzit e ndoshta edhe ka shtyrë të bëjnë këto kërkesa. Përgjegjësia nuk është e njëjtë si të punohet në Prishtinë apo në Shtime, por Ligji përcakton se paga të jetë e njëjtë për punën e njëjtë. Kemi pasur dy-tre refuzime, që ligji të hyjë në fuqi pas gjashtë muajsh. Afati optimal është pas gjashtë muajsh, përveç nëse krijohen grupe të mëdha”, ka thënë ajo.

Sipas Izmakut kjo nuk është mundësia e fundit për mësimdhënësit, “kur ta kemi mundësinë e parë do ta bëjmë rritjen e pagës”.

Ajo është optimiste gjithashtu se Buxheti do të miratohet në Kuvend këtë të shtunë.

“Besoj se të shtunën nuk do të ketë problem, nuk besoj se së paku LDK-ja do ta votojë. Ka gjëra të tjera që mund të kemi kundërshtime por për buxhet. Jam optimiste se të shtunën do të votohet buxheti”, ka thënë Izmaku.

Komento: