Sajoi se vuan nga leukemia dhe zhvati afro 190 mijë euro, ky është i dyshuari që u arrestua në Gjilan

23:47 | 22 Nëntor 2026

Një skemë e rëndë mashtrimi, përmes së cilës u keqpërdor humanizmi i qytetarëve dhe mërgatës, është zbuluar dhe goditur nga organet e drejtësisë në Gjilan.

Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka vënë në pranga një person të dyshuar për veprën penale të mashtrimit, i cili kishte arritur të grumbullonte mbi 189 mijë euro duke u shtirur si i sëmurë rëndë.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se i dyshuari i arrestuar është Endrit Azemi.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, i dyshuari që nga data 9 nëntor e këtij viti kishte sajuar një histori të rreme, duke pretenduar se vuante nga sëmundja e rëndë e “Leukemisë Akute”, me të vetmin qëllim përfitimin e kundërligjshëm pasuror.

Përmes një fushate të hapur në platformën online “GoFundMe”, ai u kishte bërë thirrje publike për ndihmë financiare qytetarëve në Kosovë dhe bashkatdhetarëve në diasporë, kinse mjetet i nevojiteshin urgjentisht për trajtim dhe rehabilitim mjekësor.

Nga ky mashtrim, ai kishte arritur të grumbullonte shumën marramendëse prej 189 mijë e 206 euro e 8 centë. Mirëpo, pas verifikimeve të hollësishme të historikut të tij shëndetësor nga organet kompetente, është zbuluar se i dyshuari nuk vuante fare nga sëmundja që pretendonte.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Komento: