Liderët bëjnë thirrje të festohet nga shtëpia

11:18 | 31 Korrik 2020

Liderët urojnë Bajramin, bëjnë thirrje të festohet nga shtëpia.

Festa e Kurban Bajramit e ka gjetur Kosovën ashtu si edhe shtetet tjera në një gjendje të rënduar si pasojë e përhapjes së koronavirusit, raporton Gazeta Express.

Vetëm dje gjatë ditës janë shënuar 16 raste të vdekjes dhe 258 raste të reja të konfirmuara me koronavirus.

Për këtë arsye, që të mos rrezikohet përhapja edhe më e madhe e virusit, janë marrë disa masa të reja preventive. BIK’u ka vendosur që të mos lejojë faljen e Bajramit nëpër Xhami, derisa, liderët e shtetit kanë bërë thirrje që të festohet nga shtëpia.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar qytetarët për festën e Bajramit, duke shkruar në Facebook se kjo festë duhet të kalohet duke e ruajtur distancën dhe shëndetin e më të dashurve tanë.

Kryeministri, Avdullah Hoti ndërkaq ka shkruar se shpreson që festat e ardhshme t’i festojmë në një situatë krejt normale, e pa pandemi.

“Sot festoni në shtëpitë tuaja dhe lutuni për familjarët, miqtë, vendin dhe mbarë njerëzimin. Duke qëndruar në shtëpi i ndihmojmë heronjtë e vijës së parë të frontit – stafin tonë shëndetësorë, të cilët po përballen me këtë pandemi për gjashtë muaj pa pushim. Edhe sot në këtë ditë feste, ata janë duke u kujdesur për qytetarët në nevojë”, ka shkruar Hoti.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani në Facebook ka shkruar se edhe ky Bajram i ka gjetur qytetarët larg njëri-tjetrit.
Ajo ka thënë se shkaku i pandemisë sot duhet që të urohet dhe festohet nga distanca.

“Kjo nuk do të jetë pengesë për festë dhe urim që Bajrami i radhës të mund të kremtohet afër njëri-tjetrit dhe kur ditët e rënda si këto që po i kalojmë do t’i takojnë historisë”, ka shkruar kryetarja e Kuvendit.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj përmes Facebook’ut ka shkruar se si pasojë e gjendjes qytetarët duhet të japin maksimumin duke festuar nga shtëpia, e duke i evituar vizitat familjare.

Që të mos dalin në vizita familjare kanë kërkuar edhe liderët e partive politike.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka shkruar në Facebook se besimtarët duhet të i kufizojnë vizitat familjare shkaku i pandemisë.

Festën e Bajramit e ka uruar edhe kreu i PDK’së, Kadri Veseli që pak ditë më parë është konfirmuar pozitiv me koronavirus. Ai në Facebook ka shkruar se shumë prej nesh nuk do të mund të urojnë nga afër sot familjarët.

“Është kohë tjetër kjo, kur jemi të obliguar t’i respektojmë masat dhe ta ruajmë njëri-tjetrin. Të tjerë, sot kanë dhimbje shumë të mëdha, sepse kanë humbur më të dashurit e tyre në betejë me Covid-19.

Le të shpresojmë që kjo pandemi të kalojë sa më parë dhe me sa më pak vuajtje”, ka shkruar ai.

Komento: